Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi vizitoi Këshillin e Biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut, që vepron në kuadër të Këshillit për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë (DEIK), raporton Anadolu.
Gashi, i cili ndodhej në Stamboll në kuadër të Samitit Parlamentar të NATO-s të organizuar nga Turqia, zhvilloi një vizitë në Këshillin e Biznesit DEIK Turqi-Maqedoni e Veriut.
Në takim morën pjesë kryetari i Këshillit të Biznesit DEIK Turqi-Maqedoni e Veriut, Bilal Kara, zyrtarë të DEIK-ut si dhe anëtarë të Bordit Drejtues të Këshillit të Biznesit.
Gashi, në fjalën e tij, tha se i kushtojnë rëndësi të madhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se mbështesin përpjekjet për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve të ndërsjella.
Ndërkaq, Kara tha se marrëdhëniet politike ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut janë në nivel të shkëlqyer dhe se vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve ka tejkaluar 1 miliard dollarë.
Në takim u vlerësua gjithashtu se ekzistojnë mundësi të rëndësishme investimi në shumë sektorë, në veçanti në shëndetësi, prodhim, energji të rinovueshme, infrastrukturë, logjistikë, turizëm, bujqësi dhe teknologji digjitale, ndërsa u shprehën edhe pritshmëritë e komunitetit të biznesit turk.







