Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla.
Gjatë vizitës, ministrat nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet ministrive përkatëse, të cilat synojnë thellimin e koordinimit institucional dhe avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, marrëveshjet parashohin rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare.
Po ashtu, bashkëpunimi do të fokusohet në modernizimin e sektorit përmes digjitalizimit të shërbimeve bujqësore, forcimin e kapaciteteve në kërkimin shkencor, inovacion dhe transferimin e teknologjive bashkëkohore, me synim rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit.
Ministria vlerësoi se këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet.







