Komuna e Çairit ka nisur zbatimin në terren të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, me aktivitete parandaluese të dedikuara për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Aktivitetet u zhvilluan në Parkun e Çairit, Parkun “Rinia” dhe në Çarshinë e Vjetër, ku ekipet mjekësore realizuan kontrolle bazë shëndetësore, matje të tensionit të gjakut, matje të nivelit të sheqerit në gjak, si dhe ofruan këshilla profesionale dhe materiale informuese për mbrojtjen nga temperaturat e larta të verës.
Në kuadër të aksionit, përfaqësues të Komunës së Çairit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, shpërndanë edhe shishe me ujë në lokacionet më të frekuentuara, me qëllim promovimin e hidratimit dhe parandalimin e pasojave nga temperaturat e larta.
Platforma “Çairi në ritmin e shëndetit” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete të tjera në funksion të promovimit të shëndetit, parandalimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.







