Mbi pesë raste të kolapsit në vende publike, kryesisht te personat e moshuar, janë regjistruar që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Lajmin e ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve MIA, mjekja Ana Xhareva nga Ndihma e Shpejtë në Shkup përcjell INA.
Ajo konfirmoi se temperaturat e larta kanë sjellë një rritje të ndjeshme të thirrjeve për ndihmë mjekësore. Përveç të moshuarve, ndihmë dhe këshilla kanë kërkuar edhe personat e moshave më të reja.
“Pacientët kryesisht ankohen për dhimbje në gjoks, por ka edhe nga ata që kanë marramendje dhe simptoma të tjera”, sqaroi dr. Xhareva.
Mjekja informoi se mes rasteve të fundit ishte edhe një grua rreth 37-vjeçare, së cilës i rënë të fikët brenda në automjet.
Rekomandimet kryesore për qytetarët
Për shkak të temperaturave ekstreme, Ndihma e Shpejtë përsërit thirrjet për kujdes të shtuar:
Shmangni daljet: Rekomandohet të mos lëvizet në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në 17:00. Nëse është e mundur, obligimet duhet të shtyhen.
Veshja dhe ushqimi: Të mbahen rroba të lehta, kapelë dhe të konsumohet ushqim i lehtë (pemë, perime dhe sallata të freskëta).
Hidratimi: Të pihen sa më shumë lëngje (ujë dhe lëngje natyrale), duke shmangur alkoolin, kafeinën dhe ushqimet e yndyrshme.
Përshtatja e temperaturës: Mos dilni menjëherë nga ambientet e klimatizuara në të nxehtë. Organizmit i duhet kohë për t’u përshtatur me ndryshimin e menjëhershëm të temperaturës.
Terapia mjekësore: Pacientët kronikë duhet të marrin rregullisht terapinë e përshkruar nga mjeku.







