Hoxhaj: Rikthimi i emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë cenon frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 13:51

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vendimeve për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, duke vlerësuar se ato prekin kujtesën historike, identitetin dhe frymën mbi të cilën është ndërtuar bashkëjetesa pas Marrëveshjes së Ohrit.

Hoxhaj ka thënë se rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e simbolikës së një regjimi që, sipas tij, shtypi shqiptarët për dekada.

“Vendimet për të rikthyer emërtimet e periudhës jugosllave në Tetovë prekin kujtesën historike, identitetin dhe frymën mbi të cilën u ndërtua bashkëjetesa pas Marrëveshjes së Ohrit. Rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon përfaqëson rikthimin e një simbolike të regjimit që shtypi shqiptarët për dekada. Po ashtu, ai rikthen në kujtesë edhe trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), e cila kreu krime të rënda dhe mori pjesë në fushata gjenocidale kundër shqiptarëve në Kosovë, si edhe kundër boshnjakëve dhe kroatëve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të vihen në pikëpyetje përmes vendimeve që, sipas tij, krijojnë pasiguri dhe nxisin ndarje.

“Të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të vihen në pikëpyetje përmes vendimeve që krijojnë pasiguri dhe nxisin ndarje. Ruajtja e barazisë, respektimi i gjuhës shqipe dhe i karakterit shumetnik të shtetit janë themeli i stabilitetit dhe i orientimit euroatlantik të vendit”, ka deklaruar ai.

Në fund, Hoxhaj ka vlerësuar se çdo veprim që cenon frymën e Marrëveshjes së Ohrit dëmton demokracinë, paqen dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Çdo hap që dobëson frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i shërben as demokracisë, as paqes, e as perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët meritojnë siguri juridike, barazi të plotë dhe respekt për të drejtat e fituara, jo kthim prapa”, ka përfunduar Hoxhaj.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter