VLEN del më i favorizuari nga ndryshimet në Qeveri!

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 13:49

Resorët e Kulturës, Drejtësisë dhe Marrëdhënieve ndërmjet bashkësive, pas rikonstruktimit të Qeverisë, do të marrin ministra të rinj – kuadro të VLEN-it. Këtë dje e tha zëvendëskryeministri dhe një nga përfaqësuesit e partisë nga blloku shqiptar, Bekim Sali. Ministrat aktualë në resorët e eurointegrimeve, mjedisit jetësor dhe ekonomisë do të mbeten në pozitat e tyre, pasi partia është e kënaqur me punën e tyre. Shëndetësia, me të cilën deri tani ka udhëhequr Azir Aliu, nuk është pjesë e paketës, thotë Sali, i cili nuk zbuloi se cilët janë emrat e rinj që do të ulen në kolltukët e Ljubkovit, Filkovit dhe Stoiljkoviqit. ZNAM do të udhëheqë me dy poste ministrore, por kreu i partisë, Maksim Dimitrievski, nuk zbulon më shumë detaje. Ai pretendon se pas negociatave do të marrin edhe më shumë përgjegjësi në Qeveri. Sa i përket raporteve brenda koalicionit qeveritar, Dimitrievski thotë se ai kurrë nuk ka qenë më stabil, përcjell PressOnline.al.

Rikonstruktimi i Qeverisë, para së gjithash, duhet parë si një proces i brendshëm i koalicionit qeverisës. Çdo koalicion parlamentar ka të drejtë, në përputhje me marrëveshjet politike, ta rishpërndajë përbërjen qeveritare nëse vlerëson se në këtë mënyrë do të sigurojë koordinim më të mirë dhe funksionim më efikas. Megjithatë, një pjesë e analistëve në vend vlerësojnë se nëse VLEN vërtet merr ministri shtesë, kjo politikisht mund të interpretohet si forcim i pozitës së tyre brenda koalicionit.

Nga ana tjetër, një pjesë e opinionit konsideron se liderët e VLEN-it mund ta paraqesin rikonstruktimin si “fitore”, përkatësisht të mburren se e kanë “marrë” Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive si “trofe”, pasi deri tani ajo udhëhiqej nga Ivan Stoilkoviq, zëvendëskryeministër dhe lider i PDSM-së. Sipas analistit politik Bllagojçe Atanasoski, kjo shpesh u është përmendur nga BDI-ja opozitare, duke i akuzuar se i kanë zhvlerësuar të gjitha sukseset dhe avancimet e të drejtave të shqiptarëve të arritura me Marrëveshjen Kornizë, duke u përulur para, siç thotë ai, “një serbi që është në marrëdhënie të ngushta me pushtetin antievropian në Serbi”.

“Nga ana tjetër, VLEN do të mburret se ‘e kanë marrë edhe Drejtësinë’, përkatësisht se kanë arritur edhe një fitore të vogël ndaj partnerit më të vogël në përbërjen tripartiake të Qeverisë, ZNAM-it, në sfondin e akuzave dhe përplasjeve të tyre të ndërsjella në publik gjatë këtyre dy viteve në pushtet”, thotë Atanasoski në një prononcim për “Lokalno”, përcjell PressOnline.al.

Bashkëbiseduesi nuk beson se VMRO-DPMNE do ta ulte numrin e ministrave, madje edhe në raport me ZNAM-in, pasi, siç thotë ai, në zgjedhjet lokale u pa se ZNAM ngadalë, por sigurt, po margjinalizohet në skenën politike maqedonase.

“Ata nuk janë në gjendje, e aq më pak ndaj VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Mickoski, të vendosin kushte shantazhuese. Lehtësisht mund të ‘flaken dhe të përzihen’ nga pushteti dhe ta përshpejtojnë fundosjen e tyre të plotë. Në këtë moment, kjo parti do të mbetet e ngjitur pas pushtetit si rriqër, vetëm për të kënaqur apetitet, financiare dhe materiale, para së gjithash të ‘liderit’ të pangopur dhe disa ‘brejtësve’ përreth tij, të cilët si ish-socialdemokratë, tani janë shërbëtorët më të mëdhenj të partisë së djathtë konservatore në pushtet, VMRO-DPMNE”, porosit Atanasoski.

Analisti vlerëson se rikonstruktimi i kabinetit qeveritar është dukuri normale dhe praktikë në çdo shtet dhe shoqëri demokratike. Megjithatë, shton ai, pyetjet thelbësore që shtrohen janë: pse bëhet kjo, me çfarë qëllimi dhe synimi, nëse ministrat që do të zëvendësohen kanë dështuar plotësisht në punën e tyre, kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë dhe shumë dilema të tjera, të cilat shtrohen në shtetet normale, të civilizuara, demokratike dhe të zhvilluara të Evropës Perëndimore.

“Maqedonia, sipas të gjitha parametrave të veprimit politik dhe shoqëror, është antipod i një sjelljeje të tillë”, është decid Atanasoski.

Dje, vonë pasdite, është mbajtur edhe një takim tjetër mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it për rikonstruktimin e Qeverisë. Sipas informacioneve, si propozim për ministër të ri të Drejtësisë përmendet Jeton Shasivari, jurist me profesion, ndërsa në kolltukun ministror të Kulturës pritet të ulet zëvendësministri aktual, Sedat Sulejmani.

Pritet që kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të takohet edhe me liderin e ZNAM-it, Dimitrievski, me çka përfundimisht do të sqarohet dilema se me sa resorë do të udhëheqë ZNAM. Pritet që kryeministri propozimin ta dorëzojë në Kuvend të mërkurën. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter