Mickoski për rikonstruimin: Emrat e rinj do të bëhen publik nesër në mbrëmje, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 13:04

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë ekziston një marrëveshje parimore me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM, por se zgjidhjet kadrovike do të publikohen nesër në mbrëmje, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, përcjell PressOnline.al.

“Po, nuk kemi biseduar për zgjidhje personale, pra për emra. Parimisht kemi marrëveshje për resorët. Edhe më herët kam thënë se derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorët e as emrat. Prisni deri nesër, diku rreth orës 20:00, kur opinioni do të njoftohet në detaje” – tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë është dakorduar me ZNAM-in dhe VLEN-in.

I pyetur se kur do të ketë informacione për ndryshime në nivelet e tjera të pushtetit, Mickoski tha se ato aktivitete do të vazhdojnë nga muaji shtator.

“Gjatë këtij muaji është paraparë rikonstruimi i Qeverisë, miratimi i ribalancit të buxhetit dhe, nëse ka nevojë, mbajtja e disa seancave për harmonizimin e disa ligjeve reformuese që janë të nevojshme për agjendën reformuese. Më pas, sa jam i informuar, në muajin gusht Kuvendi do të jetë në pushimin vjetor, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë nga shtatori”, tha Mickoski, i cili mori pjesë në inaugurimin e një kopshti për fëmijë në Trubarevë, në komunën e Gazi Babës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter