Parlamenti Evropian paralajmëron se ngadalësimi i procesit të anëtarësimit e rrit cenueshmërinë e Maqedonisë së Veriut ndaj fushatave të dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, ndërsa zhgënjimi i qytetarëve krijon hapësirë për narrativa alternative politike, përcjell PressOnline.al.
Maqedonia e Veriut mbetet objekt i operacioneve të ndikimit të huaj keqdashës, kryesisht nga Rusia dhe Kina, përmes fushatave të dezinformimit, ndërmjetësve mediatik dhe narrativave që synojnë të minojnë besimin në Bashkimin Evropian dhe institucionet demokratike. Në të njëjtën kohë, procesi i anëtarësimit në BE po ecën me ritëm të ngadalshëm, ndërsa te një pjesë e opinionit publik po rritet zhgënjimi nga pritja e gjatë, thuhet në raportin e fundit të Parlamentit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut, të përgatitur nga raportuesi Thomas Waitz.
Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë u kushtohet tabloideve dhe mediave në gjuhën serbe, të cilat, sipas raportit, funksionojnë si përforcues rajonal të narrativave të Kremlinit dhe kanë ndikim të konsiderueshëm në hapësirën publike. Raporti vë në dukje edhe praninë e vazhdueshme të rrjeteve të fshehta të ndikimit, duke rikujtuar se në periudhën 2018–2023 shteti dëboi 13 diplomatë rusë për aktivitete të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik.
Parlamenti Evropian evidenton gjithashtu ndikimin e Kinës, e cila, sipas raportit, përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj përmes kontrollit të informacionit, diplomacisë investuese dhe kushteve të vendosura në marrëveshjet për kreditë infrastrukturore. Për më tepër, thuhet se subjekte të caktuara diplomatike kineze kanë financuar përmbajtje dhe opinione të paguara në mediat maqedonase pa u shënuar qartë si të tilla.
Në raport rikujtohet edhe një analizë e vitit 2023, sipas së cilës aktorët shtetërorë rusë kanë përdorur ndërmjetës mediatikë serbë për të përhapur narrativa armiqësore ndaj NATO-s dhe pretendime se BE-ja po ushtron presion mbi Maqedoninë e Veriut që të heqë dorë nga identiteti i saj. Parlamenti Evropian shton se gati 50 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë pranuar narrativa të rreme lidhur me ngjarjet ndërkombëtare, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë, gjë që thekson nevojën për forcimin e rezistencës së shoqërisë ndaj manipulimit me informacion.
Ngërçi në rrugën evropiane forcon ndikimet e huaja
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, duke mos zbatuar Kornizën Negociuese me BE-në, përkatësisht duke mos përmbushur kushtin për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, siç theksohet edhe në raportin e Waitz-it, nuk po përparon në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kjo krijon hapësirë shtesë për përhapjen e dezinformatave dhe forcimin e ndikimeve të huaja, të cilat, sipas komunikologut Sead Xhigal, nuk kanë sukses sepse qytetarët domosdoshmërisht i besojnë këtyre mesazheve, por sepse në kushte pasigurie dhe frustrimi krijohet terren për interpretime alternative të realitetit politik.
– Në komunikologji ekziston parimi se vakuumet informative rrallë mbeten bosh. Ato mbushen nga aktorë të ndryshëm që ofrojnë interpretimet e tyre për ngjarjet dhe shkaqet e tyre. Në rrethana të tilla, narrativat dezinformuese bëhen më efikase sepse lidhen me një ndjenjë reale zhgënjimi. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kritika ndaj BE-së ose zhgënjimi nga procesi nuk duhet të barazohet automatikisht me dezinformimin. Shoqëritë demokratike nënkuptojnë debat publik legjitim. Problemi lind kur frustrimet reale përdoren për të përhapur pretendime të rreme, narrativa manipuluese ose për të minuar besimin në institucionet që udhëheqin këto procese – thotë Xhigal.
Kur nuk ka përparim, dezinformatat gjejnë lehtë audiencë
Sipas tij, ndjenja e zhgënjimit dhe lodhjes nga procesi i zgjerimit ndikon në perceptimet e qytetarëve dhe rrit prirjen për t’u besuar narrativave se BE-ja nuk ka qëllim të vërtetë ta integrojë vendin.
“Pas disa dekadash integrimi evropian, është krejtësisht e pritshme të shfaqet “lodhja nga integrimi”, nga të dyja palët. Nga aspekti i komunikimit, njerëzit pranojnë më lehtë mesazhe që përputhen me përvojën e tyre personale. Nëse qytetarët dëgjojnë për një kohë të gjatë se anëtarësimi është afër, por më pas shfaqen pengesa të reja, atëherë narrativat e tipit “BE-ja nuk do ta pranojë kurrë Maqedoninë” bëhen më bindëse, pavarësisht nëse janë faktikisht të sakta apo jo. Pikërisht për këtë arsye, rreziku më i madh nuk është vetëm rënia e mbështetjes për një politikë të caktuar, por edhe erozioni gradual i besimit në institucione dhe në vetë konceptin e integrimit evropian. Kur qytetarët fillojnë të besojnë se procesi është i dënuar të dështojë që në fillim, atëherë rritet ndikimi i narrativave alternative politike që ofrojnë shpjegimet e tyre” – shton ai.
Megjithatë, hulumtimet në rajon tregojnë se, pavarësisht rënieve të herëpashershme të entuziazmit, mbështetja për anëtarësim në BE mbetet relativisht e lartë në krahasim me alternativat e tjera gjeopolitike.
“Kjo tregon se zhgënjimi nuk do të thotë domosdoshmërisht refuzim i idesë evropiane, por para së gjithash pakënaqësi në rritje me ritmin dhe parashikueshmërinë e vetë procesit. Prandaj, përgjigjja më e mirë ndaj dezinformatave nuk është vetëm demantimi i tyre, por edhe krijimi i më shumë transparencës, parashikueshmërisë dhe komunikimit të qartë rreth procesit evropian. Kur mungojnë informacionet e besueshme dhe përparimi i dukshëm, dezinformatat e gjejnë më lehtë publikun. Kur procesi është i qartë dhe i kuptueshëm, ndikimi i tyre zvogëlohet domosdoshmërisht” – përfundon Xhigal. (PressOnline.al)







