Pas ditësh tensionesh dhe sulmesh të ndërsjella, Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se po rikthehen në rrugën e diplomacisë. Një zyrtar amerikan bëri të ditur se palët kanë rënë dakord të ndalin sulmet hakmarrëse dhe të rifillojnë negociatat, në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Sipas mediave amerikane, bisedimet pritet të zhvillohen nesër në Doha të Katarit, ndërsa fillimisht ishte parashikuar që ato të mbaheshin në Zvicër.
Në fokus të raundit të ri të negociatave do të jetë situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë për transportin e naftës, pas incidenteve të fundit ushtarake që rrezikuan lirinë e lundrimit.
Zyrtari amerikan deklaroi se është vendosur ndërprerja e të gjitha aktiviteteve ushtarake dhe se anijet do të mund të lëvizin të sigurta në ngushticë, ndërsa negociatat teknike do të vijojnë për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të arritur mes palëve.
Megjithatë, nga Teherani ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen në bisedime. Autoritetet iraniane kishin refuzuar më herët takimin e planifikuar, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të marrëveshjeve dhe duke kërkuar garanci konkrete, përfshirë aksesin në fondet e zhbllokuara.
Katari, së bashku me Pakistanin, vijon të luajë rolin e ndërmjetësit mes dy vendeve, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreson që rifillimi i dialogut të ulë tensionet në Lindjen e Mesme dhe të krijojë kushtet për një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor iranian dhe sigurinë në rajon.







