Zyrtari policor humb jetën në aksident trafiku në Vërmicë, ndalohet një shtetas i Shqipërisë

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 11:07

Një zyrtar policor ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, rreth orës 02:30, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Vërmicë.

Viktima është R.G., 59 vjeç, zyrtar policor i angazhuar në detyrë në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti ka ndodhur derisa polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikëkalimit kufitar dhe në një moment ka tentuar të kalojë rrugën.

Në atë çast, një automjet që po qarkullonte nga drejtimi Prizren – Vërmicë, dyshohet se nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe e ka goditur me pjesën e përparme këmbësorin. Si pasojë e përplasjes, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren dhe ekipi i emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, D.D., shtetas i Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter