Miranda Kerr dhe bashkëshorti i saj miliarder, Evan Spiegel, kanë ndërmarrë një gjest të jashtëzakonshëm bamirësie, duke ndihmuar në shlyerjen e rreth 550 milionë dollarëve borxhe mjekësore për qindra mijëra banorë të Kalifornisë.

Ish-modelja e Victoria’s Secret dhe themeluesi i Snapchat publikuan një video në Instagram, ku njoftuan partneritetin e tyre me organizatën jofitimprurëse Undue Medical Debt, e cila ndihmon familjet që përballen me vështirësi financiare për shkak të shpenzimeve mjekësore.
Sipas organizatës, donacioni i çiftit ka ndihmuar në shlyerjen e borxheve mjekësore për rreth 260 mijë banorë të Kalifornisë, duke u dhënë atyre mundësinë të çlirohen nga një barrë e rëndë financiare.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të kujdesesh për njerëzit që do
-u shpreh Miranda Kerr në videon e publikuar.
Ndërkohë, Evan Spiegel theksoi se qëllimi i kësaj nisme ishte t’u jepte familjeve mundësinë të përqendrohen te shërimi dhe mirëqenia e të afërmve të tyre, pa u rënduar nga faturat mjekësore.
Jemi shumë të lumtur të njoftojmë partneritetin tonë me Undue Medical Debt për të shlyer më shumë se gjysmë miliard dollarë borxhe mjekësore për mbi 250 mijë banorë të Kalifornisë
-tha ai.

Miranda shtoi se kur një person i dashur përballet me probleme shëndetësore, familjet duhet të kenë mundësinë të fokusohen te kujdesi dhe rikuperimi, e jo te stresi financiar.
Organizata bëri të ditur se familjet që plotësojnë kriteret do të marrin një letër zyrtare ku do të njoftohen se borxhi i tyre mjekësor është falur.
Donacioni është realizuar gjatë pranverës, ndërsa letrat për përfituesit pritet të dërgohen duke filluar nga mesi i muajit korrik.
Gjesti i çiftit është vlerësuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar si një nga aktet më domethënëse bamirëse të viteve të fundit, duke treguar se ndikimi i figurave publike mund të shkojë përtej botës së showbiz-it dhe biznesit.







