Java nis me temperatura deri në 38°C, nga mesi i javës pritet freskim e reshje shiu

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 08:23

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka bërë të ditur se java e fundit e muajit qershor dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga mot fillimisht shumë i nxehtë, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase ajrore më e freskët.

Sot e hëne pritet mot kryesisht me diell dhe vranësira të pjesërishme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 38°C, duke e bërë ditën më të nxehtë të javës. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–5 m/s.

Të martën parashihet mot me vranësira dhe intervale me diell. Në pjesën e dytë të ditës priten vranësira më të theksuara, që vende-vende mund të sjellin reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të jenë 15–18°C, ndërsa maksimalet 32–35°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–10 m/s.

Të mërkurën pritet mot i ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe erërave më të fuqishme. Temperaturat minimale do të jenë 15–18°C, ndërsa maksimalet 30–34°C.

Të enjten moti do të jetë kryesisht me diell, me mundësi për reshje të izoluara pasdite në disa zona. Temperaturat minimale do të zbresin në 14–18°C, ndërsa maksimalet në 24–27°C.

Të premten parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona mund të ketë reshje të shkurtra lokale. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13 deri në 16°C, ndërsa maksimalet 25–28°C.

Ndërkohë, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta, duke respektuar masat bazë për mbrojtjen e shëndetit.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter