U kap me 1 kg kokainë me vlerë dhjetëra mijëra euro, arrestohet shqiptari në Itali

featured
Press Online
28 Qershor 2026, 11:42

Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Padova të Italisë, pasi u kap me më shumë se 1 kilogram kokainë të pastër, të fshehur në një vend sekret brenda automjetit me të cilin udhëtonte në autostradë. Arrestimi u krye nga efektivët e Padovës, në kuadër të kontrolleve kundër trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas policisë, automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë pranë zonës së shërbimit Limenella, kur u ndal për kontroll. Gjatë verifikimeve, 33-vjeçari shfaqi sjellje të dyshimta, duke u treguar tepër nervoz dhe kërkonte të largohej. Ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte destinacionin apo arsyen e lëvizjes së tij.

Policët vunë re gjithashtu se shqiptari kishte krahun dhe dorën e fashuar. Ai deklaroi se plagët i kishte marrë pas një përleshjeje me persona të panjohur, por nuk dha detaje të tjera.

Dyshimet i shtynë autoritetet ta shoqëronin në Komisariatin e Padovës, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit zbuluan një mekanizëm elektronik të sofistikuar që hapte një vend të fshehtë në automjet. Brenda tij u gjet një pako me mbi 1 kilogram kokainë shumë të pastër, e paketuar.

Sipas hetuesve, lënda narkotike kishte një vlerë mbi 30 mijë euro në tregun me shumicë, ndërsa e shitur në doza do të sillte mbi 100 mijë euro fitim.

33-vjeçari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe u dërgua në burgun e Padovës në pritje të masës së sigurisë. Ndërkohë, kreu i Policisë së Padovës, Marco Odorisio, ka nisur procedurat për revokimin e lejes së qëndrimit të shtetasit shqiptar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter