Fetoshi: Vidovdani – rituali që kërcënon Kosovën

featured
Press Online
28 Qershor 2026, 09:25

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, vlerëson se Vidovdani po përdoret si instrument i kërcënimit hibrid kundër Kosovës. Në një analizë me titull “Rituali i këmbanave të luftës në Ballkan” (Vidovdani si kërcënim hibrid kundër Kosovës), ai thekson se, më shumë se 27 vjet pas luftës, Serbia e Vuçiqit vazhdon ta instrumentalizojë historinë, duke ushqyer mitin që e ka gjakosur atë.

“Teksa merr ca rreze në brigjet e Egjeut, simbolika e plazhit dhe dy mendimtarë të shquar e gozhdojnë Vuçiqin dhe mashtrimin e madh të Vidovdanit. Aty ku “zhduken” dallimet dhe mbi pushuesit grekë, shqiptarë, serbë, e të tjerë sundon deti e dielli, filozofi i brigjeve matanë, Herakliti, para 2500 vjetësh ka treguar se ndryshimi është proces i pandalshëm dhe se historia, ashtu si lumi i tij (nuk mund të hysh dy herë në të njëjtin lumë), nuk mund të kthehet 28 apo mbi 100 vjet mbrapa. Shumë më vonë, 35 vjet më parë, Ukshin Hoti ia kujtonte Serbisë se historia nuk mund të komandohet dhe se interpretimet për interesa hegjemoniste, e bëjnë Kosovën kult të robërisë së saj (Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Rozafa, 1995)”, ka shkruar Fetoshi në “Facebook”.

Sipas tij, Vidovdani nuk është një përvjetor historik apo fetar, por është kthyer në ritual të thirrjeve për konflikt e dhunë.

“Në strategjinë hibride të pas Millosheviqit, Vidovdani është mekanizmi që ushqen narrativat manipuluese për “Botën Serbe”: viktimizimin, tokën e “shenjtë” dhe agresionin e Perëndimit.  Një ngjarje historike e përpjekjeve të Ballkanit kundër zgjerimit osman (Muhadri, 2021; Malcolm, 1998), tenton të përvetësohet si një moment themelor i identitetit serb dhe si “dëshmi” për të drejtën e përjetshme mbi Kosovën (Koviç, 2023; Kisha Ortodokse Serbe, Dioqeza Rashkë-Prizren). Beteja e Kosovës është strumbullar i nacionalizmit ortodoks serb, me mitin që i shërben ndërgjegjes, besimit dhe mobilizimit “patriotik”. Sepse, nuk kanë rëndësi faktet, rëndësi ka interpretimi. Vetëm tri vjet pas Memorandumit të Akademisë së Shkencave (1986) që artikuloi “viktimizimin serb”, Millosheviqi organizoi 600 vjetorin e saj në Fushë Kosovë, për ta nisur projektin e Serbisë së Madhe, të maskuar me “mbrojtjen” e tyre. Ajo që pasoi: dhunë sistematike, luftë, masakra dhe gjenocid në Kroaci, Bosnjë e Kosovë (HRW, 2001)”, tha ai.

Ai tha se më 1999, bombardimet e NATO-s diktuan ndryshim narrative, por thelbi mbeti njësoj: mohim i krimeve, Kosova është “zemra e Serbisë”, e “grabitur përkohësisht” nga agresioni perëndimor.

“Kështu duhet ta mësojnë historinë nxënësit që organizohen përmes Kishës Ortodokse në “Shkollën Shpirtërore të Prizrenit” dhe të nxiten të rinjtë me “Besëlidhjen e Vidovdanit”, sepse kështu manipulohet e vërteta dhe përvetësohet beteja në funksion të qëllimeve ekspansioniste.

Sakralizohet, që të mos negociohet. Me shenjtërinë nuk bëhet kompromis. Në Bruksel shkohet për ta fituar “konstruktivitetin”, por s’mund të pranohet realiteti ‘tokësor’ me Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë, Vidovdani i shërben refuzimit dhe e pengon normalizimin e raporteve. Nëse e vërteta e Heraklitit nuk i bezdis për shkak të detit të pafund të mundësive të modernitetit, e vërteta e Ukshin Hotit është e rëndë dhe e pakapërcyeshme.  Historia e tij e izolimit, burgosjeve (1981, 1993, 1994), syrgjynosjes e deri te zhdukja në vitin 1999, është konstantja e politikës jugosllave dhe serbomadhe, para e pas Millosheviqit. Të ngujuar në “robërinë” e kultit të Kosovës dhe në çmendurinë për ta mohuar “njohjen e historisë së shqiptarëve”, e lidhën në zinxhirë, e linçuan, e torturuan, e humbën pa gjurmë, por historinë “nuk e komanduan dot””, tha Fetoshi.

Sipas tij, një betejë e humbur me osmanët, por “i flijuar për mbrojtjen e Krishterimit”. Ky është narracioni kishtar për princin Llazar që zgjodhi “Mbretërinë Qiellore”, mbi të cilin është kultivuar sakralizimi i Kosovës. Një amalgamë e të dhënave selektive të ngjarjes me martirizimin kishtar, për ta “shenjtëruar” Kosovën si themel të identitetit serb. Ky viktimizim “elaborohet” si e vërtetë historike në libra, predikime fetare e ligjërime politike, deri në ditët e sotme.

“Nuk ka rëndësi nëse faktet flasin ndryshe; nuk ka rëndësi dhuna, masakrat e dëbimi masiv i shqiptarëve nga Nishi, Toplica, Leskovci, Kurshumlia, Vranja e zona të tjera, gjatë viteve 1877-1878 (Malcolm, 1998); s’ka rëndësi as qëllimi i njëjtë me operacionin “Patkoi” që tentoi Millosheviqi në vitin 1999. Rëndësi ka që bombardimet e NATO-s, të cilat e penguan spastrimin etnik, të kornizohet si agresion, dhe Beteja e Kosovës, Vidovdani e Gazimestani të vazhdojnë të përdoren si instrumente të luftës narrative për Kosovën. Në këtë kuadër, viktimizimi është strategji për shmangien e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës në Kosovë dhe propagandë për mobilizim emocional, e certifikuar përmes klerit fetar. Sot, viktimizimi shënjestron institucionet shtetërore, Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë. Pretendimet për represion e terror ndaj “popullit serb” (Petkoviq, 25.06.2026) dhe për “krimet” e UÇK-së gjatë luftës që “nuk hetohen qëllimisht” (B92, RTV, Tanjug), synojnë demonizimin e Republikës së Kosovës, mashtrimin e opinionit ndërkombëtar dhe pengimin e integrimit të komunitetit serb. Millovan Drecun tenton “ndërrimin e roleve”, duke i cilësuar arrestimet e serbëve lidhur me Reçakun si përpjekje për margjinalizim të krimeve të UÇK-së në prag të vendimit të Hagës. Vetë ka deklaruar se i kanë furnizuar Dhomat e Specializuara me mijëra faqe dëshmi (RTS, 2023), por për çudi nuk paskan arritur t’i zbulojnë “krimet e UÇK-së” ndaj 500 serbëve të zhdukur në Kosovë?!  Ndërkohë, për ta relativizuar përgjegjësinë e tyre, e mohojnë Reçakun si “komplot” (YIHR, 2019), për shkak të peshës së ambasadorit Walker, por nuk e çelin gojën për Krushën, Fortesën, Celinën, Mejen e 150 masakrat e tjera në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se edhe kryekomisioneri qeveritar për të zhdukurit, Velko Odalloviq i bashkohet Drecun-it, duke i quajtur terroristë viktimat e masakrës së Reçakut (Kosovo Online, 25.06.2026).

“Sipas kësaj logjike, edhe Ukshin Hoti ishte terrorist, ndonëse e kishin të lidhur në pranga kur e zhdukën. Prandaj, Odalloviq s’ka denjuar t’i tregojë Andinit sa ishte në krye të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, se çfarë kishte ndodhur, ku ishte babi i tij?!. Loja e pushtetit dhe “padrejtësia” e Perëndimit. Fakti që edhe 27 vjet pas luftës fabrikimet kundër UÇK-së qarkullohen e rikthehen në komunikimin strategjik serb, e vërteton dimensionin e tyre politik dhe ndërkombëtar. Në domenin e luftës hibride, rëndësia e pretendimeve nuk lidhet me vërtetësinë, por me efektivitetin e receptimit publik. “Terrorizmi i UÇK-së” është narrativë që godet dyfish: Kosovën e pavarur dhe “padrejtësinë” e Perëndimit. Përdoret për ta justifikuar militarizimin si “mbrojtje” përmes rreshtimit me Rusinë e Kinën dhe për ta nxitur mobilizimin e brendshëm përmes “viktimizimit” e Vidovdanit”, tha ai.

Në lojën e pushtetit, sipas tij Vuçiq shërbehet me simbolikat e krenarisë, fuqisë dhe zhvillimit ekonomik. Organizon aktivitete dhe liturgji frymëzuese para Vidovdanit, mobilizon mbështetje elektorale në Beograd dhe demonstron sisteme të reja luftarake më 28 qershor. (RTS, 25.06.2026).

“Për shkak të trysnisë së protestave dhe skadimit të mandatit, nën flamurin gjigant të Serbisë improvizon një “fletëvotim” për prioritetet e qytetarëve dhe shpalos programin e “unitetit (Serbia, një familje), “mbrojtjes” së Kosovës dhe zhvillimit ekonomik”. Pavarësisht vendimit të GJND-së (ICJ, 22.07.2010), njohjes së Kosovës nga 121 shtete dhe përpjekjeve për normalizim në kuadër të procesit të Brukselit, Vuçiq vazhdon të thirret në të drejtën ndërkombëtare, të ankohet në padrejtësinë e Perëndimit dhe të zotohet për kthimin e “tokës së tyre” (Kosovo Online, 21.03.2026). Sipas tij, Herakliti nuk ka të drejtë nëse nuk i jep të drejtë Serbisë. Për këtë arsye, Vidovdani është një operacion hibrid që duhet të demaskohet: Beteja e Kosovës nuk është ngjarje serbe dhe s’mund të përdoret për pretendime politike, Serbia nuk mund ta evitojë përgjegjësinë shtetërore për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, NATO nuk është agresor, por forca që pengoi spastrimin etnik të Kosovës. Derisa Kosova të trajtohet si mit dhe nuk pranohet si realitet, Vidovdani do të mbetet rituali i këmbanave të luftës në Ballkan”, ka shkruar Fetoshi.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter