Cilat subjekte juridike nga Ballkani Perëndimor janë në listën e zezë amerikane?

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 10:46

Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane ishin vendosur 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

Numri më i madh i sanksioneve lidhet me Serbinë (49), pasuar nga Kosova (29), Bosnje e Hercegovina (26), Maqedonia e Veriut (12), Shqipëria (8) dhe Mali i Zi (7).

Vendimet për sanksione i merr Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja, shkurt OFAC, e cila vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, shkruan Evropa e Lirë.

Bëhet fjalë për një listë individësh dhe biznesesh që SHBA-ja i sanksionon – në rastin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin ose destabilizimin rajonal.

Po ashtu, në mesin e të sanksionuarve në Ballkan ka edhe persona dhe subjekte që lidhen me aktivitete terroriste ose me ndikimin ketë Rusisë.

SHBA-ja vendosi sanksione për Ballkanin Perëndimor midis viteve 2001 dhe 2004, për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të vendeve dhe cenimit të paqes pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999.

Sanksionet u rikthyen në vëmendje një dekadë më vonë, kur nisën të vendoseshin për shkak të korrupsionit, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, si dhe cenimit të paqes dhe stabilitetit.

Që nga viti 2022, në mesin e të sanksionuarve janë edhe persona dhe subjekte që mbajnë lidhje me Rusinë, e cila është izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Vendimi për zgjatjen e vlefshmërisë së mekanizmit ligjor që u mundëson SHBA-së vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor — “masat e gjendjes së jashtëzakonshme” — u zgjat zyrtarisht më 22 qershor 2026 edhe për një vit.

Kur bëhet fjalë për gjashtë shtetet e Ballkanit, në listë janë 71 subjekte dhe 60 individë, ndërsa subjektet e sanksionuara juridike janë kryesisht të lidhura me individë të sanksionuar.

Sanksionet e targetuara mund të përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe kufizime financiare, deri te kufizimet tregtare dhe ngrirja e pasurisë.

Qëllimi është izolimi i individëve ose subjekteve juridike, në mënyrë që t’u kufizohet qasja në burime politike ose ekonomike.

Programi i sanksioneve të OFAC-ut

OFAC-u ka më shumë se 30 programe aktive sanksionesh, të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për 71 subjektet e evidentuara në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sanksionet janë vendosur në bazë të 11 programeve:

Programi BALKANS — ka të bëjë me masa të targetuara kundër individëve dhe subjekteve juridike që cenojnë paqen, stabilitetin, proceset demokratike dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Programi kryesisht ka të bëjë me:

Ata që në mënyrë aktive minojnë, pengojnë ose shkelin marrëveshjet kryesore rajonale të paqes dhe të pasluftës:

Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit në Bosnjë e Hercegovinë;

Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën;

Marrëveshjen Kornizë të Ohrit në Maqedoninë e Veriut;

Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut;

Korrupsionin e nivelit të lartë dhe minimin e sundimit të ligjit.

Destabilizimin dhe cenimin e sigurisë.

Shmangien dhe anashkalimin e sanksioneve.

Programi BALKANS-EO14033 — bllokimi i pasurisë së personave dhe subjekteve që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Programi synon individët dhe subjektet që:

Pengojnë marrëveshjet e paqes: Bllokojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, Marrëveshjes së Prespës ose Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Marrin pjesë në korrupsion: Përvetësojnë fonde publike, uzurpojnë pronë private ose japin dhe marrin ryshfet.

Cenojnë demokracinë: Minojnë proceset dhe institucionet demokratike në rajon.

Shkelin të drejtat e njeriut: Janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Programi SDGT (Specially Designated Global Terrorist / Terrorist Global i Përcaktuar Posaçërisht) — program i sanksioneve financiare i vendosur me vendim të ish-presidentit George W. Bush pas sulmeve në Nju-Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001, me qëllim goditjen e rrjeteve të financimit të terrorizmit në nivel global.

Programi TCO (Transnational Criminal Organization / Organizatë Kriminale Transnacionale) — sanksione që vendosen për të mbrojtur sistemin financiar ndërkombëtar nga ndikimi i rrjeteve kriminale që merren me trafikim njerëzish, kontrabandë droge, pastrim parash dhe krim kibernetik.

Programi SDNKT (Foreign Narcotics Kingpin Designation Act / Akti për Përcaktimin e Bosëve të Huaj të Narkotikëve) — bllokimi i qasjes së karteleve ndërkombëtare të narkotikëve, bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të lidhura me ta në sistemin financiar ndërkombëtar të SHBA-së.

Kompanitë globale dhe institucionet financiare e përdorin këtë program për të verifikuar klientët e tyre, në mënyrë që të shmangin bashkëpunimin me persona të sanksionuar.

Programi CYBER2 — kundër individëve dhe organizatave që marrin pjesë në aktivitete të rëndësishme keqdashëse kibernetike, siç janë:

Sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.

Vjedhja e identitetit dhe e të dhënave financiare.

Ndërhyrja në proceset zgjedhore të shteteve të huaja.

Përhapja e softuerëve të dëmshëm (ransomware, malware).

Programi CYBER4 — përcaktimi i individëve dhe subjekteve që merren me aktivitete të rëndësishme keqdashëse në hapësirën kibernetike.

Kryesisht përdoret për përcaktimin e personave, rrjeteve dhe operatorëve të ransomware-it, shpesh të lidhur me sindikata të krimit kibernetik ose me ofrues të “hostimit të paprekshëm” në juridiksione si Rusia, operacionet e të cilëve dëmtojnë infrastrukturën kritike të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Programi RUSSIA-EO14024 — sanksione të lidhura me aktivitetet e dëmshme të Qeverisë së Federatës Ruse.

Programi ka të bëjë me:

Ngrirjen e pasurisë së një rrethi të gjerë individësh dhe subjektesh juridike, për të cilët SHBA-ja vlerëson se mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi aktivitetet e dëmshme të Federatës Ruse.

Sektorin financiar dhe bankar — përfshin të gjithë infrastrukturën financiare të Rusisë dhe të gjitha bankat e huaja që bashkëpunojnë me të.

Kompleksin ushtarako-industrial dhe teknologjitë, me qëllim ndërprerjen e furnizimit të ushtrisë ruse.

Sektorët kryesorë ekonomikë të Rusisë, si sektori energjetik, pasi ky sektor përbën burimin kryesor të të ardhurave për buxhetin shtetëror rus.

Programi UKRAINE-EO13662 — u vendos si përgjigje ndaj aneksimit rus të Krimesë më 2014 dhe destabilizimit të situatës në Ukrainë. Ai synon sektorët kyç të ekonomisë ruse, si energjetika dhe financat, dhe ka të bëjë me subjekte të lidhura me korporata mëmë ruse të sanksionuara.

Programi GLOMAG (Global Magnitsky sanctions / Sanksionet Globale Magnitsky) — bazohet në ligjin Global Magnitsky Human Rights Accountability Act të vitit 2016.

Ky program i mundëson Qeverisë së SHBA-së të ngrijë pasurinë dhe të ndalojë transaksionet e personave të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe korrupsion, kudo në botë.

Programi targeton zyrtarë të huaj dhe persona privatë të përfshirë në vrasje, torturë, zhvatje, pastrim parash ose përvetësim të burimeve shtetërore.

Ligji për Kundërvënien ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act, CAATSA) — ligj federal amerikan i miratuar në vitin 2017, me të cilin vendosen sanksione ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut. Ai përdoret kryesisht për ndëshkimin e subjekteve dhe qeverive të huaja që kryejnë transaksione të rëndësishme me sektorin rus të mbrojtjes dhe të inteligjencës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter