Gjermania do të zbresë sonte në fushë e relaksuar, pasi ka siguruar vendin e parë në grupin E. Në ndeshjen e fundit të grupit në orën 22:00, ‘panzerat’ do të përballen me Ekuadorin që kërkon fitoren për të shpresuar te kualifikimi. Amerikano-latinët kanë vetëm 1 pikë dhe çdo rezultat tjetër do ta pamundësonte objektivin, ndërsa në të njëjtën orë në fushë do të luhet edhe Kurasao-Bregu i Fildishtë.
Fitorja për secilën nga përfaqësueset do të thoshte kualifikim edhe pse Kurasao ka vetëm 1 pikë, ndërsa Bregu i Fildishtë ka 3 në vendin e dytë. Megjithatë afrikanët e shohin përballjen kundër Kurasaos si një mundësi të artë për 3 pikët dhe për të mos rrezikuar si vend i tretë.
Në orën 01:00 të mëngjesit në fushë do të jetë Holanda që do të kërkojë përballë Tunizë së eliminuar të mbrojë vendin e parë në grupin F. ‘Tulipanët’ aktualisht kanë 4 pikë, njëjtë si Japonia që po në të njëjtën orë do të përballet me Suedinë që ka 3 pikë. Ky duel pritet të jetë shumë i zjarrtë pasi përcakton në rastin më të keq vendin e dytë, por matematikisht lufton edhe për të parin. Në grupin F vendi i parë ka shumë rëndësi, pasi kush renditet i dyti në 1/16 do të ketë përballë Brazilin.
Deri tani njihen 13 përfaqësuese, që kanë siguruar matematikisht kualifikimin për fazën 1/16. Bëhet fjalë për Meksikën, Afrikën e Jugut, Zvicrën, Kanadanë, Bosnjë Hercegovinën, Brazilin, Marokun, SHBA, Gjermaninë, Francën, Norvegjinë, Argjentinën dhe Kolumbinë.
Projeksionet e bëjnë fakt që edhe shtatë përfaqësuese e kanë të sigurt kualifikimin. Vetëm një skenar i pabesueshëm do i nxirrte jashtë.
Këto përfaqësuese janë Anglia, Japonia, Holanda, Egjipti, Portugalia, Spanja dhe Gana. Kujtojmë se në total janë 32 përfaqësuese që kalojnë më tej, ndërsa eliminohen përfundimisht 16.
Deri tani surprizë ishte eliminimi i Turqisë. Pjesa tjetër e skualifikuar është Katari, Haiti, Tunizia, Jordania, Panamaja dhe Çekia.







