Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë periudhës nga 1 deri më 22 qershor 2026 janë arrestuar 38 persona të kërkuar me urdhëresa të gjykatave kompetente.
Sipas Policisë, arrestimet janë realizuar nga stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në zbatim të urdhëresave të lëshuara ndaj personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
“Stacionet policore pranë DRP-Pejë, nga data 01.06.2026 deri më datën 22.06.2026, kanë realizuar urdhëresat e gjykatës ndaj personave të kërkuar, duke arrestuar tridhjetë e tetë (38) persona të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje bëhet e ditur se 13 prej të arrestuarve janë dërguar për vuajtje të dënimit në qendrat korrektuese, ndërsa 25 të tjerë janë paraqitur në seanca gjyqësore.
“Personat e arrestuar, të dyshuar për vepra të ndryshme penale, trembëdhjetë (13) nga të dyshuarit janë dërguar në vuajtje të dënimit në qendrat e paraburgimit, ndërsa njëzet e pesë (25) nga të dyshuarit janë dërguar në seanca gjyqësore dhe pasi kanë bërë pagesën e dënimit (gjobën) janë liruar”, njofton Policia.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka theksuar se do të vazhdojë zbatimin e urdhëresave të lëshuara nga gjykatat, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore.







