Tri degë ia kërkojnë dorëheqjen, Abdixhiku “siguron” që s’do ketë ndarje të LDK-së

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 08:42

Brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës është thelluar përplasja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, pasi disa degë të partisë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, ndërsa ky i fundit u është përgjigjur duke kërkuar përgjegjësi nga drejtuesit lokalë.

Dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan si dhe Dega II e LDK-së në Prishtinë kanë dalë me kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut, duke e lidhur këtë kërkesë me rezultatin zgjedhor dhe përgjegjësinë politike brenda partisë.

Në Pejë, kryesia e degës ka njoftuar se pas mbledhjes dhe analizës së rezultateve ka kërkuar dorëheqje si akt moral nga lidershipi qendror, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja e partisë.

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.

Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”.

Edhe në Lipjan, kryesia e degës ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar atë si standard të përgjegjësisë politike dhe reflektim ndaj mesazhit të qytetarëve.

“Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror; prandaj, përgjegjësia për rezultatin duhet të shihet në mënyrë të balancuar në të gjitha nivelet e organizimit partiak”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Dega II e LDK-së në Prishtinë ka deklaruar se partia po kalon një nga periudhat më të vështira, duke kërkuar ndryshime të thella dhe përgjegjësi politike në të gjitha nivelet, përfshirë lidershipin qendror.

“Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar.

Të përkushtuar ndaj LDK-së, kemi pranuar të angazhohemi dhe të veprojmë edhe për ata që nuk e meritojnë mundin e as besimin e aktivistëve, por pa sukses.

Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar duke thënë se rezultatet më të dobëta të partisë janë shënuar në Pejë dhe Lipjan, ku sipas tij ekziston përgjegjësi direkte e kryetarëve të degëve.

Ai ka kërkuar dorëheqje morale nga Gazmend Muhaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan, duke theksuar se përgjegjësia fillon nga niveli lokal.

“Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.

E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.

Mbështetje Abdixhikut i ka dhënë i pari i Istogut dhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati.

Ferati ka theksuar se përgjegjësia e një kryetari dege, i cili është edhe kryetar komune, është direkte dhe lidhet ngushtë me rezultatet zgjedhore, duke filluar nga niveli lokal i organizimit politik dhe ekzekutiv.

Sipas tij, struktura e degës dhe ekzekutivi komunal janë të ndërlidhura me proceset zgjedhore, si ato lokale ashtu edhe ato nacionale, dhe për këtë arsye përgjegjësia nuk mund të zhvendoset tek të tjerët.

“Përgjegjësia e një kryetari të degës, që është kryetar komune është direkte. Është direkte dhe fillon prej aty. Se është struktura e degës, është ekzekutivi komunal, që janë në funksion të zgjedhjeve qofshin ato lokale, qofshin ato nacionale… dhe të kërkosh përgjegjësi në përgjegjësinë tënde prej dikujt tjetër është joetike, jo-fer dhe është jashtë rendi të shtëpisë… moralisht do të duhej të fillohej nga vetja (të jepnin dorëheqje)”, ka thënë Ferati në Debat Plus.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter