Këngëtarja e njohur spanjolle Rosalía është fotografuar në New York në shoqërinë e modeles franceze Loli Bahia, duke nxitur edhe më shumë spekulimet për lidhjen e tyre romantike.

Artistja 33-vjeçare dhe modelja 23-vjeçare u panë duke ecur të kapura për dore në rrugët e Manhattanit, ndërsa kryenin disa angazhime gjatë pasdites.
Rosalía kishte zgjedhur një fustan të bardhë elegant të kombinuar me këpucë të zeza me taka, ndërsa Loli Bahia u shfaq me një stil më casual, e veshur me një bluzë gri me mëngë të gjata dhe xhinse.

Më vonë gjatë mbrëmjes, dyshja u fotografua duke dalë nga restoranti i njohur Carbone, përpara se të ktheheshin së bashku në hotelin ku po qëndrojnë në New York.
Sipas mediave ndërkombëtare, Rosalía dhe Loli Bahia janë në një lidhje që prej fundit të vitit të kaluar. Dyshimet për romancën e tyre u shtuan në muajin mars, kur ato u fotografuan së bashku në Paris, duke ecur dorë për dore.

Aktualisht, Rosalía ndodhet në Shtetet e Bashkuara në kuadër të turneut të saj “Lux Tour”. Artistja ka mbajtur tashmë dy koncerte në Madison Square Garden të New York-ut, ndërsa ndalesat e radhës përfshijnë Çikagon dhe Hjustonin.
Turneu do të vazhdojë më pas në Kanada, Kolumbi, Kili, Argjentinë, Brazil, Meksikë dhe Porto Riko, ku koncerti përmbyllës është planifikuar më 3 shtator në San Juan.

Megjithëse Rosalía ka zgjedhur ta mbajë jetën e saj private larg vëmendjes së tepërt mediatike, paraqitjet e fundit me Loli Bahia duket se kanë konfirmuar se dyshja po e jetojnë hapur lidhjen e tyre, duke tërhequr vëmendjen e fansave dhe mediave rozë në mbarë botën.







