Zyrtare/ Christian Chivu nënshkruan kontratën e re me Interin deri në 2028!

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 08:08

Tashmë është zyrtare: Christian Chivu do të vazhdojë aventurën e tij në pankinën e Interit. Trajneri rumun, protagonist i një sezoni të shkëlqyer me zikaltërit, ka firmosur kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me klubin deri në vitin 2028.

Klubi milanez e bëri publik lajmin në mbrëmjen e së enjtes, në përfundim të një dite që pa Chivun të mbërrinte në selinë e Interit për të finalizuar marrëveshjen. Pas rreth dy orësh takime, u kryen formalitetet e fundit për zgjatjen e bashkëpunimit.

Në fakt, negociatat kishin hyrë në fazën përfundimtare që të mërkurën, kur agjenti i trajnerit, Pietro Chiodi, zhvilloi një takim me drejtuesit zikaltër për të rakorduar detajet e fundit të kontratës. Sipas mediave italiane, Chivu do të përfitojë një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon.

Rinovimi përfaqëson një votë të fortë besimi nga ana e klubit ndaj një trajneri që mori drejtimin e skuadrës mes skepticizmit të një pjese të tifozëve, por që arriti shpejt t’i bindte ata me punën, rezultatet dhe aftësinë për të krijuar një lidhje të fortë me ambientin zikaltër.

Mbi të gjitha, Chivu luajti një rol vendimtar në fitimin e titullit të 21-të kampion të Italisë, një sukses shumë i pritur pas zhgënjimit të sezonit të kaluar, i mbyllur pa asnjë trofe.

Tashmë Interi sheh drejt së ardhmes me optimizëm, duke nisur një cikël të ri që fillon nga pankina dhe që synon të garantojë vazhdimësi në rezultate, suksese dhe trofe.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter