Firmoset marrëveshja e paqes, Trump: Bombardime masive në Iran nëse shkelet kompromisi

featured
Press Online
18 Qershor 2026, 13:35

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian nënshkruan një marrëveshje fillestare që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, duke hapur rrugën për negociata të mëtejshme drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

Si masë fillestare për ndërtimin e besimit, Irani do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni do ta heqë bllokadën e vet detare. Sipas marrëveshjes, Irani gjithashtu duhet ta lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë rrugë jetike ujore pa pagesë për 60 ditë.

Mes pikave kryesore të marrëveshjes është edhe një plan për rindërtimin e Iranit prej 300 miliardë dollarësh, si edhe heqja e të gjitha sanksioneve amerikane.

Donald Trump firmosi një kopje të printuar të dokumentit gjatë një darke të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës, ndërsa deklaroi se pret që Irani t’u përmbahet plotësisht kushteve të dakorduara.

Ai paralajmëroi se çdo shkelje e marrëveshjes do të përballet me një reagim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara.

“Do t’i bombardojmë masivisht nëse e shkelin marrëveshjen. Nuk dua që ata ta bëjnë, dua që ta respektojnë marrëveshjen”, tha Trump.

Marrëveshja është mirëpritur nga Presidenti francez, Macron që e cilësoi paktin si një hap të rëndësishëm.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për bashkatdhetarët tanë, që së shpejti do të mundësojë një ulje të çmimeve të energjisë”, tha Macron.

Firmosja e marrëveshjes ka ndikuar menjëherë në tregjet botërore, sidomos në sektorin e energjisë, duke sjellë uljen e çmimit të karburanteve.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter