Trump: Forcat ushtarake amerikane do të mbeten edhe për pak kohë në Gjirin Persik

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 23:28

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se forcat ushtarake amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në rajonin e Gjirit Persik për një periudhë të papërcaktuar kohore, duke thënë se do të shohim si zhvillohet situata.

Kur u pyet drejtpërdrejt se sa kohë pritet të mbeten trupat amerikane në zonë, Trump u përgjigj shkurt: Do të thoja për pak kohë, të shohim si shkojnë të gjitha gjërat.”

Deklarata e Trump vjen në një moment delikat për sigurinë në Lindjen e Mesme, pas zhvillimeve të fundit që përfshijnë tensionet me Iranin, sulmet në ngushticën e Hormuzit dhe përpjekjet për stabilizimin e rajonit pas konfliktit të fundit.

Zyrtarë të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë nuk kanë dhënë një afat të saktë për praninë ushtarake amerikane, por theksojnë se qëllimi kryesor mbetet sigurimi i lirisë së navigacionit në ngushticën e Hormuzit, rrugën kryesore përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës së botës – si dhe mbrojtja e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.

Kjo deklaratë vjen pak kohë pas vendimit të administratës Trump për të lëshuar një përjashtim nga sanksionet ndaj eksportit të naftës iraniane, një lëvizje që synon uljen e çmimeve globale të naftës dhe si koncesion në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit për nisjen e bisedimeve të reja.

Pentagoni ka konfirmuar se numri i forcave amerikane në rajon mbetet i konsiderueshëm, duke përfshirë anije luftarake, avionë dhe personel tokësor të dislokuar për të garantuar sigurinë.

Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të reja mbi mundësinë e reduktimit të tyre në afat të shkurtër.

Presidenti Trump ka theksuar vazhdimisht se SHBA nuk kërkojnë “lufta të pafundme” në Lindjen e Mesme, por njëkohësisht nuk do të tërhiqen derisa të sigurojnë interesat jetike amerikane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter