KQZ: Numërimi pritet të mbyllet sot, kanë mbetur edhe tetë kuti

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 09:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të përfundojë procesin e numërimit të fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Për t’u numëruar kanë mbetur edhe tetë kuti votimi, të cilat përmbajnë fletëvotime nga votimi përmes postës jashtë vendit, si dhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Me numërimin e këtyre kutive, KQZ-ja pritet të mbyllë tërësisht procesin e numërimit të votave për këto zgjedhje.

Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së sotme, më konkretisht në ditën e 10 pas ditës së zgjedhjeve, KQZ do të përmbyllë aktivitetet paszgjedhore, të cilat, KQZ i zhvillon për të ardhur deri tek rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të numërohet pjesa e mbetur e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës dhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta”, ka thënë ai.

Ndërkaq, KQZ-ja mëngjesin e së mërkurës ka përditësuar të dhënat nga procesi i numërimit në QNR. Sipas këtyre të dhënave, nga 223 kuti votimi në të cilat janë sistemuar fletëvotimet nga votimi me postë janë numëruar 215 dhe 8 të tjera do të numërohen gjatë ditës.

Njëkohësisht, KQZ-ja ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues. Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i realizuar jashtë vendvotimeve, ku për këtë lloj votimi kanë qenë të regjistruar 3,144 votues./KP

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter