Kasami: për 24 muaj, kanë bërë më shumë punë sesa është bërë për 24 vjet!
Në Kuvendin themelues të VLEN-it, të mbajtur në Tetovë, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se bashkimi i pesë subjekteve politike në një të vetëm përfaqëson një hap historik drejt konsolidimit të skenës politike shqiptare dhe një mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve.
Kasami theksoi se, pavarësisht se VLEN ka qenë në fazë konsolidimi, në vetëm dy vjet qeverisje ka arritur të realizojë një sërë projektesh dhe të zgjidhë çështje që, sipas tij, kishin mbetur të pazgjidhura për dekada.
“Për 24 muaj, arritëm të zgjidhim probleme, të ndërtojmë e të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet. Edhe pse ishte ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, ata për 24 vjet nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ne po e bëjmë për 24 muaj”.
Në fjalimin e tij, ai përmendi si shembuj Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, avancimin e punimeve për Korridorin 8 dhe rrugën Shkup-Bllacë, funksionalizimin e sistemit One Stop Shop me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe investimet në Spitalin e Tetovës, Spitalin e Kërçovës dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.
Kasami vlerësoi gjithashtu investimet në Tetovë dhe angazhimin për largimin e lojërave të fatit nga lagjet, duke theksuar se VLEN ka zgjedhur punën konkrete në vend të retorikës politike.
“Faktet janë të qarta dhe kokëforta. Për 24 vjet shqiptarët i qeverisën me demagogji të zbrazët, me propagandë e gënjeshtra. Me ardhjen e VLEN-it, shqiptarët kanë hyrë në epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit. Atyre ua kemi lënë zhurmën dhe fjalët boshe, ne iu kemi përveshur punës dhe projekteve”.
Mexhiti: Shqiptarët po përfaqësohen me përgjegjësi
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në Kuvendin themelues të partisë ka përmendur projektet kyçe të realizura gjatë këtij mandati dyvjeçar nga ana e VLEN-it si pjesëmarrëse në qeveri. <span;>Ai tha se mbi 40 milionë euro po investohen në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një investim në dije, në rininë tonë dhe në të ardhmen e brezave që vijnë.</span;>
“Rreth 20 milionë euro po investohen në fazën e fundit të Sheshit ‘Skënderbeu’, duke përmbyllur një projekt me rëndësi të veçantë për shqiptarët në kryeqytet. 74 milionë euro janë planifikuar për Spitalin e Tetovës, sepse qytetarët tanë meritojnë shërbime shëndetësore dinjitoze dhe moderne. Mbi 200 milionë euro po investohen në autostradën Shkup-Bllacë, korridorin që lidh Shkupin me Prishtinën dhe që hap perspektiva të reja ekonomike për të gjithë rajonin”, ka thënë ai.
Përmes projekteve të ndryshme zhvillimore, Mexhiti shtoi se po realizohen rreth 100 milionë euro investime në komunat shqiptare: në rrugë lokale, shkolla, çerdhe, ujësjellësa dhe infrastrukturë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Ndërkohë, Korridori VIII, një nga projektet më të mëdha strategjike të shtetit, kalon nëpër zona ku jetojnë mijëra familje shqiptare, duke sjellë zhvillim dhe mundësi të reja ekonomike edhe për komunat shqiptare. Këto janë faktet se kur shqiptarët përfaqësohen me përgjegjësi, ata marrin hisen që u takon nga buxheti i shtetit. Sepse përfaqësimi i vërtetë nuk matet me numrin e funksioneve. Përfaqësimi i vërtetë matet me universitetet që ndërtohen, me spitalet që modernizohen, me rrugët që lidhin qytetet tona dhe me investimet që mbërrijnë në komunat tona. Dhe këtu shihet rëndësia e decentralizimit. Kur komunat kanë më shumë mundësi për të vendosur mbi prioritetet e tyre, zhvillimi bëhet më i drejtë, më i shpejtë dhe më afër qytetarëve”, ka thënë Mexhiti në fjalën e tij.







