Qeveria e RMV-së miratoi Projektligjin: Qytetarët do të deklarojnë dhurimin e organeve gjatë vizitës te mjeku amë

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 18:04

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, sot miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi. Me ndryshimet e propozuara, thotë Ministria e Shëndetësisë, çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të japë deklaratë nëse pajtohet ose jo që pas vdekjes së tij të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime shërimi, transmeton Portalb.mk.

Kjo deklaratë do të evidentohet në listën e sistemit kombëtar të evidencave elektronike në shëndetësi – “Termini im”. Ligji parashikon gjithashtu mundësinë që qytetari në çdo kohë ta ndryshojë vendimin e tij.

“Me këto ndryshime, për herë të parë shteti do të ketë një pasqyrë më të saktë mbi gatishmërinë e qytetarëve, si dhe mbi nivelin e informimit dhe besimit të tyre ndaj dhurimit të organeve.

Njëkohësisht, me ndryshimet e propozuara zgjerohet edhe rrethi i dhuruesve të gjallë, kështu që përveç të afërmve të përfshirë deri më tani, do të përfshihen edhe të afërm të tjerë në vijë anësore deri në shkallën e katërt të farefisnisë, përkatësisht edhe kushërinjtë e parë. Ndërkohë, mbetet në fuqi mekanizmi mbrojtës përmes komisionit etik, i cili do të verifikojë vullnetarizmin e aktit dhe mungesën e çdo forme presioni”,thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Për më tepër, parashikohen edhe zgjidhje të tjera për lehtësimin e procedurave, përfshirë thjeshtimin e hapave administrativo-teknikë në pjesën e përcaktimit dhe konfirmimit të vdekjes së trurit.

“Me këtë zgjidhje ligjore bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi në të cilin vullneti i qytetarit do të shprehet qartë, do të mbrohet më shumë dhe do të respektohet në mënyrë më konsekuente. Akti i dhurimit të organeve do të buronte nga një vendim i lirë dhe i informuar. Në të njëjtën kohë, me zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë krijojmë mundësi të reja për trajtim mjekësor, gjithmonë brenda kornizave të rrepta mjekësore, etike dhe ligjore”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështetën dhurimin e organeve. Ata thanë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.

“Ne gjithashtu ndihmojmë në këtë mënyrë përmes kontakteve me njerëzit, nëse mund të vijmë deri te një donator i cili do të ndihmojë dhe të realizojë plotësisht dëshirën e tyre për të pranuar organ, për të shpëtuar jetën e tyre dhe për të vazhduar në mënyrë aktive si në familje ashtu edhe në shoqëri”, tha At Dimçe-KOM.

Kisha Katolike mendonte në të njëjtën mënyrë.

“Pozicioni është pozitiv dhe jo vetëm kaq, por kisha thërret dhe përmes dokumenteve të saj zyrtare inkurajon besimtarët të dhurojnë organe. Dhurimi i organeve është një shprehje dashurie ose, siç e quajti i ndjeri Papa Gjon Pali II, një akt heroik. Dhurimi i organeve është heroizëm”, u shpreh Oliver Tantushev- Kisha Katolike.

Rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter