Rryma do të harxhohet si hallvë, konsumi do të na rritet për 26 për qind deri në vitin 2040, vlerëson Banka Botërore

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 12:37

Teknologjitë e reja do ta rrisin ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në botë, ndërsa në këtë drejtim pritet të rritet edhe konsumi në Maqedoni. Deri në vitin 2040, konsumi i energjisë elektrike në Maqedoni do të rritet madje për 26 për qind, sipas vlerësimeve të Grupacionit të Bankës Botërore, e cila dje mbajti Ditën e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).

Nga IFC porositën se japin mbështetje të madhe për tranzicionin e gjelbër në mbarë botën, ndërsa janë të gatshëm edhe për projektet maqedonase.

“E shohim energjetikën si veprimtari strategjike. Maqedonia e Veriut ka potencial të konsiderueshëm për zgjerimin e prodhimit vendor të energjisë së rinovueshme dhe për forcimin e pavarësisë së saj energjetike. Investimet në energji nga era, dielli dhe në infrastrukturë moderne energjetike do të jenë thelbësore për përmbushjen e kërkesës së ardhshme dhe për përmirësimin e sigurisë energjetike. Duhet të shfrytëzohet kapitali privat. Tërheqja e investitorëve privatë do të jetë veçanërisht e rëndësishme”, tha Vibke Shlomer, drejtoreshë e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin Jugor në IFC, përcjell PressOnline.al.

Ajo porositi se në vend duhet të punohet më shumë në partneritete publiko-private.

“Shoh se këtu punojnë shumë kompani të huaja. Hapi i radhës drejt të cilit duhet të kalohet është prodhimi me vlerë më të lartë të shtuar dhe mbrojtja e ekosistemit. Shohim projekte infrastrukturore, por ka boshllëqe. Dua t’ju interesoj për partneritet publiko-privat. Ne punojmë në rreth njëqind partneritete publiko-private në botë. Kjo mundëson sjelljen e ekspertizës nga sektori privat dhe realizim më të shpejtë të projekteve”, u tha Shlomer përfaqësuesve të sektorit privat, përcjell PressOnline.al.

Para të mëdha nevojiten veçanërisht në energjetikë, theksoi Vadim Sherbakov, zyrtar për investime në infrastrukturë në IFC.

“Për tranzicionin energjetik nevojiten investime të mëdha për prodhim, transmetim dhe ruajtje të energjisë, por e mira është se oreksi i investitorëve është i madh. Këtu është edhe mbështetja e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe e bankave komerciale”, tha Sherbakov, duke theksuar megjithatë se investitorët privatë përballen me nevojën për mjete të mëdha paraprake dhe me procedura të mëdha administrative.

“Konteksti energjetik i Maqedonisë së Veriut është i lidhur me kontekstin energjetik në Ballkanin Perëndimor. Shohim përkushtimin e Qeverisë për braktisjen e lëndëve djegëse fosile, si dhe përparim të konsiderueshëm në kornizën ligjore”, potencoi Sherbakov.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila e hapi ngjarjen, foli hapur për nevojën për mbështetje më të madhe nga IFC për kompanitë vendore.

“Kur flasim për rritjen e kapitalit themelues të vendit tonë, pyeta se çfarë do të thotë kjo për ne. Po, IFC mbështet kompani të caktuara, por ato janë investitorë të huaj. Unë kërkova mbështetje për kompanitë vendore dhe u përcolla se kam ndjesinë se ata nuk u besojnë. Pastaj dy herë nuk patëm takim. Por tani jemi këtu dhe e pres mbështetjen për kompanitë vendore”, tha ministrja.

Nga projektet më të rëndësishme për momentin, IFC mbështet projektin e “Alcazar Energy” për ndërtimin e centraleve me erë në Shtip, i cili duhet të furnizojë më shumë se 100.000 amvisëri dhe të ulë deri në 690.000 tonë emetime të dioksidit të karbonit në vit. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter