Një grua ka humbur jetën dhe një burrë ka mbetur i lënduar si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Malishevë–Prishtinë.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:40.
Viktima e cila ndodhej si pasagjere në automjet, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Policia ka bërë të ditur se njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe hetimet për shkaqet e vetaksidentit janë duke vazhduar.







