Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një përleshjeje të ndodhur sot paradite në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 14 qershor 2026, rreth orës 11:50, ku dy familje, kushërinj mes vete, janë përfshirë në një konflikt fizik duke përdorur mjete të forta.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka vdekur një mashkull rreth 27-vjeçar. Ndërkaq, babai i viktimës, rreth 57 vjeç, ka pësuar lëndime trupore.
Personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për intervistim dhe procedura të mëtejshme hetimore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, si dhe drejtues të Stacionit Policor në Prizren dhe të Drejtorisë Rajonale të Policisë. Autoritetet kanë ndërmarrë masa shtesë sigurie për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e incidenteve të tjera.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.







