Juventus në ditët e fundit largoi Shefin Ekzekutiv të klubit Damien Comolli dhe së shpejti mund të përshëndesë edhe futbollistin që më shumë se të gjithë rezultoi të ishte simboli i dështimit të francezit.
Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, e ardhmja e të cilit duket se nuk do të vazhdojë të jetë te Zonja e Vjetër. Sipas portalit ‘Tutto Mercato Web’, futbollisti i përfaqësueses së Kosovës që u transferua në Torino përpara një viti është vënë në shënjestrën e Trabzonsporit, ku aktivizohet edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Ernest Muçi.
Gjithnjë sipas këtij portali, klubi turk ka nisur të bëjë lëvizjet e tij duke kryer ida sondazhe paraprake me shpresën për të nisur tratativat për transferimin e futbollistit në Trabzon. Një skenar ky që duket se pëlqëhet edhe nga vetë Juventusi, që përpara se të bëjë blerje të reja do të duhet që fillimisht të arkëtojë të ardhura.
Gjatë sezonit 2025/26 Edon Zhegrova është aktivizuar në 27 ndeshje me Juventusin në të gjitha kompeticionet dhe në asnjë prej tyre nuk ka qenë titullar dhe për më tepër, futbollisti dardan, vetëm në sfidën e kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj Galatasaray ka luajtur më shumë se 45 minuta.







