Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se ka zhvilluar një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë të cilit është konfirmuar bashkëpunimi tradicionalisht i afërt, miqësor dhe strategjik ndërmjet dy shteteve.
Sipas Mickoskit, në takim është shprehur kënaqësia e përbashkët për marrëdhëniet e shkëlqyera politike, të cilat bazohen në respektin reciprok, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndërmjet dy popujve.
Ai bëri të ditur se në fokus të bisedimeve kanë qenë mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimit tregtar, tërheqjen e investimeve të reja, si dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, arsimit dhe mbrojtjes.
Mickoski theksoi rëndësinë e Turqisë si një partner i rëndësishëm ekonomik dhe politik për vendin, duke nënvizuar se Qeveria mbetet e përkushtuar në krijimin e një klime të favorshme dhe të parashikueshme biznesi për investimet turke dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi mbështetjen e Turqisë për zhvillimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për sfidat aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për stabilitet, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në rajon.
Në fund, të dy palët shprehën bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mike do të vazhdojnë të zhvillohen me një dinamikë edhe më të fuqishme në periudhën e ardhshme.







