216 aplikime, 65 fitues: Publikohet lista e përfituesve të granteve për zhvillim rural

featured
Press Online
12 Qershor 2026, 19:59

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka shpallur 65 përfituesit e LOT 2 në kuadër të Skemës së Granteve për Diversifikimin e Fermave dhe Zhvillimin e Bizneseve Rurale, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in.

Sipas ministrisë, skema synon krijimin e mundësive të reja ekonomike në zonat rurale, rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të komuniteteve rurale në Kosovë.

Muja bëri të ditur se së shpejti do të përzgjidhen edhe përfituesit e LOT 1 dhe LOT 3, ndërsa theksoi se në kuadër të LOT 2 kanë përfituar edhe gra fermere, të cilat pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin rural dhe fuqizimin ekonomik të familjeve dhe komuniteteve rurale.

“Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë aplikuesit”, ka deklaruar Muja.

Përmes LOT 2 mbështeten investime në sektorë me potencial të lartë zhvillimi, përfshirë agroturizmin, përpunimin e produkteve bujqësore, bletarinë, akuakulturën, produktet pyjore jo-drusore, si dhe kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Në këtë thirrje janë pranuar gjithsej 216 aplikime, ndërsa 65 aplikues janë përzgjedhur për mbështetje financiare. Ministria ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit ka kaluar nëpër disa faza, duke përfshirë kontrollin administrativ, verifikimin në terren dhe vlerësimin teknik.

Skema është ndërtuar sipas parimeve të programit IPARD, me synimin për t’i afruar praktikat e zhvillimit rural në Kosovë me standardet e Bashkimit Evropian. Autoritetet presin që, pas përfundimit të të tri loteve, programi të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave familjare dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter