Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë një hap më pranë përdorimit të shërbimeve mobile në vendet e Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë roamingu. VMRO-DPMNE njoftoi se ka nisur procesi për përfshirjen e vendit në iniciativën evropiane “Roaming si në shtëpi”, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të përdorin internetin, thirrjet telefonike dhe mesazhet me çmime të njëjta si në vend.
Po ua përcjellim komunikatën e VMRO-DPMNE-së në tërësi:
Ka nisur procesi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në iniciativën evropiane “Roaming si në shtëpi”. Kjo nismë përfaqëson një nga përfitimet më konkrete të integrimit evropian, e cila ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve përmes kostove më të ulëta dhe komunikimit më të lehtë gjatë qëndrimit jashtë vendit
Në këtë drejtim, kuadri ligjor në vend tashmë është harmonizuar me direktivat dhe rregulloret evropiane në fushën e komunikimeve elektronike.
Në takimin e caktuar për 12 qershor 2026, përfaqësues të Komisionit Evropian së bashku me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të shqyrtojnë aspekte të ndryshme që lidhen me procesin e afrimit ndaj iniciativave digjitale evropiane.
Me përfshirjen në këtë iniciativë do të mundësohet lidhje më e mirë, kosto më të ulëta dhe integrim më i madh në hapësirën digjitale evropiane, duke e afruar edhe më shumë Maqedoninë e Veriut me standardet digjitale të Bashkimit Evropian.
Qytetarët do të mund të përdorin internetin, mesazhet SMS, thirrjet telefonike dhe shërbime të tjera mobile në vendet e Bashkimit Evropian me çmime të njëjta si në trafikun vendas.
Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe ndaj digjitalizimit dhe modernizimit të shtetit.
Në opinionin publik shpesh dëgjohen pretendime për orientim proevropian nga ana e opozitës, megjithëse, sipas VMRO-DPMNE-së, gjatë periudhës kur ajo ishte në pushtet munguan rezultatet konkrete dhe realizimi i projekteve të paralajmëruara.
Ndryshe nga kjo, politikat aktuale janë të orientuara drejt përfitimeve konkrete, të matshme dhe të drejtpërdrejta për qytetarët.







