Për 6 vjet, 5 personat që u arrestuan të martën kishin funksionuar si grup kriminal që kishte për qëllim përfitimin e dobisë pasurore, përmes drogës.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të Prokurorisë Speciale, të cilën e ka siguruar Dukagjini, thuhet se të dyshuarit në mënyrë aktive ishin marr me trafikimin e lëndëve narkotike.
“..të pandehurit duke qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike: kokainë, nga shtetet e Amerikës së Jugut, heroinë nga shteti i Iranit, Afganistanit dhe Turqisë, marijuana nga shteti i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Spanjës etj, për në Kosovë aktivitetin e tyre kriminale e realizojnë duke fshehur narkotikun nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese..”
Tutje aty sqarohet se si grupi kriminal kishte përpunuar drogën në Kosovë dhe në cilat shtete ishte shitur, duke treguar se kjo veprimtari ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjera brenda dhe jashtë Kosovës.
“..pasi e sjellin narkotikun përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë për në Kosovë, pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës tjerë me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion dhe narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër produkte të ndryshme dhe më pas të njëjtën e transportojnë përmes kompanive transportuese duke e shitur tek blerësit në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të Unionit Evropian, kurse marijuanën e trafikojnë duke e paketuar në qese vakuumi dhe e kamuflojnë nëpër mallra të ndryshme apo bunker të improvizuar nëpër rimorkio apo mjete tjera transporti..”.
Të arrestuarit dyshohen edhe për shpërlarje të parave, e që sipas PSRK-së të pandehurit një pjesë të mjeteve të fituara nga aktiviteti kriminal e kishin transferuar në biznese të ndryshme, ndër to edhe biznese që i kishin themeluar vetë, si dhe një pjesë të pasurisë e kanë konvertuar në tokë shtëpi, vetura e banesa.
2 nga 5 të arrestuarit një ditë më parë, e që gjatë së mërkurës dolën para Gjykatës ishin të dënuar në të kaluarën për vepra penale të trafikimit me substanca narkotike.
Aksioni ishte ndër më të mëdhenjtë në Kosovë ku u përfshinë edhe autoritet policore të Belgjikës, Francës, Kosovës dhe Holandës, me mbështetjen e Europolit.
Sipas kësaj të fundit, që nga fillimi, janë hetuar 42 të dyshuar; janë kontrolluar 76 lokacione dhe janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë të vlerësuar prej 80 milionë eurosh.
Grupi, sikurse edhe më herët ai i aksionit “Qielli i thyer”, u zbuluan përmes mesazheve që i shkëmbyen në platformën e koduar të komunikimit SKY ECC.
Pos trafikimit me drogë, grupi i organizuar kriminal u mor me dokumente të falsifikuara, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash në mbarë Evropën.
https://www.youtube.com/watch?v=I7YyorLuUbA






