Supremja refuzon ankesën e VV-së, mbetet në fuqi gjoba prej 5 mijë eurosh për përfshirjen e një të miture në fushatë

featured
Press Online
10 Qershor 2026, 13:50

Gjykata Supreme e Kosovës ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në një aktivitet të fushatës zgjedhore.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, ankesa e LVV-së kundër vendimit të PZAP-së është refuzuar si e pabazuar. Vendimi i PZAP-së ishte marrë më 3 qershor 2026 pas ankesave të paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP, me vendimin ZP.Anr.11/2026 të datës 03.06.2026, kishte pranuar si të bazuara ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi” (IKD), duke i shqiptuar subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) gjobë në lartësi prej 5.100 (pesëmijë e njëqind) euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije në aktivitet të fushatës zgjedhore.

Kundër këtij vendimi, LVV kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pathemeltë.

Nga provat e administruara rezulton se më 31.05.2026, gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar nga LVV në Vushtrri, një vajzë e mitur 10-vjeçare kishte dalë në skenë dhe kishte recituar para pjesëmarrësve të tubimit, e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik. Ankesat e paraqitura në PZAP kishin pretenduar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në një aktivitet të organizuar zgjedhor përbën angazhim të një personi nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore, në kundërshtim me rregullat zgjedhore në fuqi.

Në procedurën para PZAP-së, LVV kishte pretenduar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ishte angazhuar nga subjekti politik dhe se iniciativa për paraqitjen e saj kishte ardhur nga vetë ajo, në prani të prindit të saj.

Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara. Kolegji i Gjykatës pranoi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke theksuar se neni 5 paragrafi 3 i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fshehtë të Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar përcakton se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore”.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse iniciativa për pjesëmarrjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, si dhe nuk ka rëndësi nëse ka pasur koordinim apo planifikim paraprak. Fakt përcaktues është se organizatori i aktivitetit ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një fëmije në një aktivitet zgjedhor, në kundërshtim me ndalimin e paraparë në rregulloren zgjedhore.

Gjykata theksoi se organizatori i tubimit ka përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve. Në rrethanat e rastit konkret, e mitura kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetin zgjedhor, fakt i mbështetur edhe nga provat e administruara në lëndë.

Duke pasur parasysh qëllimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj, ndaj refuzoi ankesën e LVV-së si të pathemeltë duke lënë në fuqi vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter