Në një reagim publik që ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale, aktivisti rinor dhe ish-kryetari i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët – Dega Çair, Hamza Nuhiu, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me pabarazinë sociale dhe ekonomike mes studentëve në Maqedoninë e Veriut. Ai thekson se të rinjtë nuk kanë të njëjtat kushte fillestare në jetë, duke vënë në pah dallimet e mëdha mes atyre që vijnë nga familje me ndikim dhe atyre që përballen me vështirësi financiare, përcjell PressOnline.al.
Sipas tij, këto dallime shihen qartë në përditshmërinë studentore, nga mënyra e transportit dhe jetesës, deri te mundësitë për studim, punësim dhe perspektivë të ardhshme. Nuhiu thekson se ndërsa një pjesë e të rinjve jeton në kushte luksi dhe pa shqetësime financiare, të tjerët detyrohen të punojnë, të kursejnë dhe të sakrifikojnë për të vazhduar studimet.
Më poshtë, PressOnline.al po ua sjell statusin e tij të plotë:
“Një fëmijë i ish ministrave, funksionarëve, deputetëve dhe oligarkëve shkon në fakultet me makinë luksoze mbi 20 mij euro.
Një student i zakonshëm ecën në këmbë ose pret autobusin me shpresën se do të vijë në kohë.
“STARIN E PRINDËRVE” nuk e pyet askush sa kushton semestri.
Tjetri rri zgjuar netëve duke mësuar, vetëm që të kapë bursën dhe të mos jetë barrë për familjen.
Njëri e ka kartelën bankare gjithmonë të mbushur.
Tjetri numëron monedhat para se të paguan një kafe.
Njëri ha drekë në restorante luksoze.
Tjetri ha një kroasan të lirë dhe e quan drekë.
Njëri e kalon verën në destinacione luksoze.
Tjetri kërkon punë sezonale që të mbledhë para për vitin e ardhshëm akademik.
Njëri merr apartament si dhuratë.
Tjetri nuk di nëse do të mund ta paguajë qiranë muajin tjetër.
Njëri ka lidhje, njohje dhe dyer të hapura kudo.
Tjetri ka vetëm diplomën dhe shpresën se dikush do ta vlerësojë për meritë.
Njëri gabon dhe prapë ngrihet në këmbë sepse ka kush e mbron.
Tjetri nuk ka luksin të gabojë, sepse një gabim mund t’i kushtojë të ardhmen.
Njëri e zgjedh profesionin që dëshiron.
Tjetri zgjedh profesionin që mund ta mbajë gjallë.
Njëri jeton pa e menduar të nesërmen.
Tjetri zgjohet çdo mëngjes duke menduar si do ta përballojë ditën.
Pastaj na thonë se të gjithë kemi mundësi të barabarta.
JO MOS BAN FILMA thojmë ne rinia e Shkupit.
Nuk është e njëjta garë kur disa nisen 100 metra para vijës së startit.
Të dy quhen studentë.
Të dy janë të rinj.
Të dy jetojnë në të njëjtin shtet.
Por nuk jetojnë në të njëjtën botë.
Kjo nuk është vetëm pabarazi.
Kjo është padrejtësi, e që shpresa se do rregullohet ndonjëher është varrosur shumë shekuj më parë.
Migjeni do thoshte : MJERIM.” (PressOnline.al)






