Zëvendësministri i Arsimit nga koalicioni VLEN, Driton Sulejmani, në paraqitjen e tij në emisionin “Top Tema” në Telma, njoftoi se zgjidhja e re ligjore për përfaqësim adekuat dhe të drejtë më në fund do t’i japë fund manipulimeve të shumta me përkatësinë etnike gjatë punësimit në administratën shtetërore. Sipas Sulejmanit, dallimi kryesor mes mekanizmit të deritanishëm digjital, i njohur si “balancuesi”, dhe zgjidhjes së re është se përfaqësimi i drejtë tani ngrihet në nivel ligji, përcjell PressOnline.al.
“Ky mekanizëm kushtetues po kalon nga një mjet në ligj, që është një hap i madh dhe shumë i rëndësishëm që përfaqësimi i drejtë të marrë vendin që meriton. Kjo duhej të rregullohej që në vitin 2003 si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, por për fat të keq nuk ndodhi për dy dekada. Ne e premtuam para zgjedhjeve dhe tani po e realizojmë”, tha Sulejmani.
Një nga kritikat kryesore të sistemit të mëparshëm ishin abuzimet ku qytetarët deklaroheshin si pjesëtarë të një komuniteti tjetër etnik vetëm për të marrë një vend punë në administratë. Sulejmani thotë se ligji i ri parashikon sanksione të rrepta për këto raste.
“Çdokush që do të guxojë të deklarojë rrejshëm përkatësinë e tij etnike do të sanksionohet. Ai do të përjashtohet nga konkursi konkret dhe nuk do të ketë të drejtë të aplikojë në asnjë vend pune për tre muajt e ardhshëm”, sqaroi Zëvendësministri, përcjell PressOnline.al.
Përveç kandidatëve, përgjegjësi ligjore do të mbajnë edhe drejtuesit e institucioneve. Nëse drejtorët nuk e zbatojnë ligjin, ata do të përballen me përgjegjësi politike, që sipas Sulejmanit është një masë më e fortë se gjobat e mëparshme që shpesh injoroheshin.
Në lidhje me pyetjen e gazetarëve për vërejtjet e Komisionit të Venecias për sistemin e meritës dhe koordinimin, Sulejmani mohoi se ligji bie ndesh me rekomandimet e tyre. Ai iu referua Nenit 9 të projektligjit, ku parashihet formimi i një organi koordinues për monitorimin e situatës.
“Metodologjia do të propozohet nga Agjencia e Administratës në bashkëpunim me trupin koordinues. Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë do të jetë përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të ligjit në të gjitha institucionet e shtetit”, shtoi ai.
Sulejmani përfundoi se kjo zgjidhje ligjore është thelbësore për stabilitetin dhe drejtësinë në shtet, duke theksuar se qeveria është maksimalisht e kujdesshme në hartimin e saj për të shmangur gabimet e së kaluarës. (PressOnline.al)






