Shakira ka zbuluar se Kupa e Botës nuk i solli vetëm sukses në karrierë, por ndryshoi përgjithmonë edhe jetën e saj personale.
Në një intervistë të fundit për revistën PEOPLE, ylli kolumbian ka reflektuar mbi lidhjen e veçantë që ka me turneun më të madh të futbollit në botë, duke kujtuar se si gjithçka nisi pas performancës së saj të hitit “Hips Don’t Lie” me Wyclef Jean në Kupën e Botës 2006.
Katër vite më vonë, Shakira u bë zëri i himnit zyrtar të Kupës së Botës 2010 me këngën ikonike “Waka Waka (This Time for Africa)”, një projekt që do t’i ndryshonte jetën në mënyra që nuk i kishte imagjinuar.
Pikërisht gjatë atij eventi ajo njohu ish-futbollistin Gerard Piqué, me të cilin më vonë krijoi një familje dhe u bë nënë e dy djemve, Milan dhe Sasha.
Prandaj i quaj fëmijët e mi fëmijët ‘Waka’. Mendoj se ata erdhën në jetë falë asaj kënge
-rrëfeu artistja 49-vjeçare.
Ajo shtoi se kënga e çoi në Kupën e Botës dhe se pikërisht ky event solli në jetën e saj gjërat më të bukura që ka përjetuar ndonjëherë.
Shakira kujtoi gjithashtu Kupën e Botës 2014, kur performoi ndërsa ishte shtatzënë me djalin e saj më të vogël, Sasha. Sipas saj, fansat e kuptuan menjëherë lajmin e ëmbël, edhe pse ajo ishte vetëm në javët e para të shtatzënisë.
Ndërkohë, këngëtarja do të rikthehet këtë verë në skenën e Kupës së Botës, ku pritet të performojë në finalen e madhe. Ajo do të ndajë skenën me emra të mëdhenj të muzikës si Madonna dhe BTS, duke shënuar një tjetër moment historik në karrierën e saj.
Po ashtu, Shakira ka publikuar së fundmi këngën zyrtare të këtij edicioni së bashku me Burna Boy, me titullin “Dai Dai”.
Çdo Kupë Bote është magjike. Kjo është një mundësi për të bashkuar njerëzit në një periudhë shumë të ndjeshme sociale dhe politike
-u shpreh artistja, duke lënë të kuptohet se performanca e saj do të mbartë një mesazh më të thellë se muzika.






