Shkupjanët kërkojnë kushte normale për transport: “Lëshoje klimën, mjeshtër — po mbytemi nga vapa!”

featured
Press Online
10 Qershor 2026, 10:09

Edhe pse temperaturat gjatë periudhës së fundit janë rritur mbi 30 gradë Celsius, qytetarët e Shkupit vazhdojnë të udhëtojnë me autobusë pa klimë. Dhe jo vetëm që janë shumë të rralla autobusët ku shoferët e ndezin klimën për të krijuar kushte pak më të përballueshme për udhëtarët, por edhe në autobusët tjerë “ferri” nuk mund të zbutet as me ajrosje, pasi shumica e tyre kanë vetëm dritare të vogla që hapen pak.

Nga këto hapje të vogla, ajri nuk mund të ndihet as nga njerëzit që janë pranë tyre, e lëre më të ajroset i gjithë autobusi.

Prandaj, çdo përdorues i transportit publik është dëshmitar i përditshëm i poshtërimit të pasagjerëve dhe kushteve tepër çnjerëzore të udhëtimit. Autobusët janë të papastër, ulëset e vjetruara, ndërsa pasagjerët, pasi presin gjatë në vapë në stacione, të djersitur dhe të lodhur kërkojnë shpëtim duke u freskuar me ventilatorë që i sjellin me vete në autobus.

Kjo gjendje përsëritet prej vitesh, ndërsa autoritetet vetëm premtojnë autobusë të rinj, të cilët për shkak të tenderëve të pasuksesshëm është e paqartë kur do të mbërrijnë në kryeqytet, pa u përpjekur të vendosin ndonjë rregull në mjetet ekzistuese.

Qytetarët thonë se gjendja është e padurueshme dhe se shumë pak nga autobusët e NQP “Shkup” kanë klimë, ndërsa asnjë nga autobusët privatë nuk e ka.

“Jetoj në Vollkovë dhe çdo ditë udhëtoj me autobus në linjën 22, e cila kryesisht shërbehet nga transportues privat. Në mëngjes është më lehtë, por në kthim është tmerr. Nuk e ndezin klimën, disa dritare nuk hapen për ajrosje. Kjo nuk është transport publik, kjo është katastrofë e paprecedentë. Nuk e di si nuk u vjen turp të nxjerrin në qarkullim autobusë pa klimë në këtë vapë. A i kontrollon dikush transportuesit privat kur lidhin kontrata me ta? Ne paguajmë për transport dhe çfarë marrim në këmbim? Torturë të përditshme,” thotë një banor i Vollkovës për Slloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.

Këto ditë, të martën rreth orës 16:00, u pa një rast kur në një autobus privat të linjës 22, disa pasagjerë i kërkuan shoferit të ndizte klimën, sepse brenda ishte jashtëzakonisht nxehtë.

“Doni klimë? Nuk ka! E dini sa njerëz nuk paguajnë biletë dhe ‘udhëtojnë falas’?” – u përgjigj me arrogancë shoferi, pas së cilës shpërtheu një debat me pasagjerët, të cilët i sugjeruan të gjejë mënyra për të ndëshkuar ata pa bileta, por jo të ndëshkohen të gjithë me kushte të pamundura udhëtimi.

Në pyetjen e parashtruar nga Slloboden Peçat ndaj NQP “Shkup” pse nuk ka klimë në autobusë, nëse janë të prishura apo po kursehet karburant, ata thonë se nuk bëhet fjalë për kursim karburanti, por për gjendjen e ndryshme teknike të flotës.

Siç shpjegojnë, në ato mjete ku ekziston mundësia, klimat ndizen, ndërsa në disa të tjera janë të dëmtuara teknikisht dhe janë në proces riparimi.

“Njësitë e klimës në autobusë aktivizohen sipas mundësive teknike të çdo mjeti. Në praktikë, një pjesë e madhe e autobusëve kanë sisteme ftohjeje plotësisht funksionale, ndërsa te një numër i caktuar mjetesh janë evidentuar defekte teknike që po trajtohen dhe riparohen,” thonë nga NQP për ‘Slloboden Peçat’, përcjell PressOnline.al.

Ndërmarrja shton se shërbimet punojnë vazhdimisht për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve për pasagjerët, veçanërisht në periudhat me temperatura të larta.

Paralelisht me masat aktuale, po punohet për përmirësimin gradual të shërbimeve dhe pritet ardhja e autobusëve të rinj që do të rrisin efikasitetin.

Megjithatë, ardhja e autobusëve të rinj që duhet t’i blejë Qeveria është ende e pasigurt, pasi deri tani kanë dështuar dy tenderë publikë.

Në të parin u paraqit vetëm një kompani, por komisioni konstatoi se nuk i plotësonte kriteret. Në të dytin u zgjodh një kompani hungareze, por procesi u anulua nga Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurime Publike.

Menjëherë pas kësaj u shpall një tender i ri që zgjat deri në fund të qershorit. Më pas do të dihet nëse hera e tretë do të jetë me fat dhe nëse do të finalizohet blerja. Nëse po, pritet ardhja e 100 autobusëve elektrikë në Shkup. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter