Real Madrid po përgatit një lëvizje të madhe në merkaton e verës, me mesfushorin e Chelsea-t, Enzo Fernandez, që është kthyer në një nga objektivat kryesorë të klubit spanjoll.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dëshiron të afrojë emra të mëdhenj pas rizgjedhjes së tij në krye të klubit, ndërsa argjentinasi shihet si një përforcim ideal për mesfushën e “Los Blancos”.
Chelsea nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë 25-vjeçarin dhe raportohet se i ka vendosur një çmim prej rreth 120 milionë paundësh. Trajneri i ri i londinezëve, Xabi Alonso, e konsideron Fernandez një pjesë të rëndësishme të projektit për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori argjentinas, i transferuar nga Chelsea në janar të vitit 2023 për rreth 106 milionë paund, ka kontratë deri në vitin 2032. Megjithatë, bisedimet për rinovimin e kontratës thuhet se janë ngadalësuar muajt e fundit.
Raportet sugjerojnë se Fernandez nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur në Madrid. Gjatë një interviste në muajin mars, kur ishte i grumbulluar me kombëtaren e Argjentinës, ai foli hapur për dëshirën për të jetuar në kryeqytetin spanjoll.
Ndërkohë, Real Madrid po monitoron edhe alternativa të tjera në merkato. Një prej tyre është sulmuesi Michael Olise, por Bayern Munich nuk ka ndërmend të shesë futbollistin francez.
Nga ana tjetër, Chelsea mund të dëgjojë oferta edhe për mbrojtësin Marc Cucurella. Interes për spanjollin kanë shfaqur Atletico Madrid dhe Barcelona, ndërsa londinezët kërkojnë mbi 50 milionë paund për kartonin e tij.
Vera pritet të jetë e nxehtë në “Santiago Bernabeu”, me Real Madridin që synon të rikthehet fuqishëm në tregun e transferimeve me afrime të profilit të lartë.






