BE-ja forcon Policinë Kufitare me automjete dhe pajisje të reja

featured

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dje mbajti fjalim me rastin e ceremonisë së dorëzimit të automjeteve dhe pajisjeve të specializuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme, të siguruara në kuadër të projektit rajonal IPA EU4FAST – “Mbështetja e BE-së për forcimin e luftës kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”. Në kuadër të donacionit u dorëzuan 30 pajisje për kontrollin e dokumenteve, dy detektorë të rrahjeve të zemrës për zbulimin e personave në hapësira të fshehura, shtatë automjete (katër automjete terreni dhe tre furgonë), si dhe pesë kamera video, të dedikuara për Policinë Kufitare dhe Njësitin Kombëtar për Luftën kundër Kontrabandimit të Emigrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Toshkovski theksoi se mbështetja e Bashkimit Evropian paraqet një kontribut konkret në forcimin e kapaciteteve të policisë së Maqedonisë dhe në përmirësimin e efikasitetit të saj operacional. “Jetojmë në një kohë komplekse gjeopolitike që kërkon vigjilencë maksimale dhe kohezion të strukturave të sigurisë. Kufijtë tanë janë pjesë e barabartë e arkitekturës së sigurisë së kontinentit evropian, ndërsa institucionet tona janë në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta evropiane. Prandaj, çdo investim në modernizimin e shërbimeve tona është njëkohësisht investim në paqen dhe stabilitetin e gjithë hapësirës evropiane”, theksoi Toshkovski.

Ministri vuri në dukje se rrjetet kriminale veprojnë në mënyrë transnacionale dhe përshtatin vazhdimisht metodat e tyre, prandaj është i domosdoshëm një reagim i koordinuar dhe në kohë, i bazuar në bashkëpunim të fortë ndërkombëtar. Ai theksoi se projekti EU4FAST përfaqëson një shembull të suksesshëm të veprimit të përbashkët të institucioneve të rajonit dhe partnerëve evropianë përmes trajnimeve, shkëmbimit të informacionit dhe aktiviteteve të koordinuara në terren. “Automjetet dhe pajisjet e specializuara të dhuruara do të vihen menjëherë në funksion, duke rritur ndjeshëm lëvizshmërinë, efikasitetin dhe kapacitetet operative të njësive policore në përballjen me kontrabandimin e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, deklaroi Toshkovski. Ai theksoi se këto forma të krimit të organizuar kanë pasoja të drejtpërdrejta mbi fatet njerëzore, prandaj Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të zbatojë një qasje multidisiplinare me një komponent të fortë human në çdo aktivitet operacional.

Në fund të fjalimit, ministri Toshkovski shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian, komunitetit të donatorëve dhe ekipit të projektit për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm, duke nënvizuar se Republika e Maqedonisë së Veriut do të mbetet një partner aktiv dhe i besueshëm në të gjitha nismat e orientuara drejt forcimit të sigurisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal.

Projekti EU4FAST mbështet institucionet partnere në rajon në forcimin e parandalimit, hetimit, ndjekjes penale të autorëve, si dhe mbrojtjes së viktimave, përmes një qasjeje të kombinuar që përfshin trajnime, asistencë teknike, furnizim me pajisje dhe përmirësim të bashkëpunimit ndërinstitucional. Projekti bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ministria e Punëve të Brendshme të Italisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës. Zbatimi realizohet nga një konsorcium i udhëhequr nga GIZ, së bashku me partnerë evropianë nga fusha e punëve të brendshme dhe drejtësisë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter