Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka folur për bisedat që zhvilloi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në mbrëmje, në kohën kur Izraeli ndërmori sulme me raketa ndaj Iranit.
Në një intervistë të shkurtër telefonike për BBC, Trump u pyet nëse Netanyahu kishte vepruar kundër dëshirës së tij duke urdhëruar sulmin ndaj Iranit. Presidenti amerikan mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se raketat ishin lëshuar tashmë në momentin kur ai zhvilloi bisedën me liderin izraelit.
“Raketat ishin tashmë në rrugë e sipër”, deklaroi Trump, duke shtuar se Netanyahu nuk kishte shpërfillur qëndrimin e tij.
“Jo, jo. Nuk ndodhi kështu. Raketat kishin dalë tashmë, ishin në fluturim”, u shpreh ai.
Ai shtoi: Nëse i them të bëjë diçka, ai e bën.
BBCニュース – トランプ氏、ネタニヤフ氏は「自分の意向に逆らっていない」 BBC編集長との電話で語るhttps://t.co/5AOLHUwuGK pic.twitter.com/BlYZG0Kv6O
— BBC News Japan (@bbcnewsjapan) June 9, 2026
Trump deklaroi gjithashtu se gjatë komunikimit me kryeministrin izraelit kishte kërkuar që të mbizotëronte arsyeja dhe të shmangej përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.
“E vetmja gjë që i thashë ishte se duhet të mbizotërojë logjika. Jemi pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, një marrëveshjeje shumë të mirë”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare kanë zbuluar detaje të reja mbi kontaktet e shpeshta mes Trump dhe Netanyahu, në një periudhë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur sërish, pas armëpushimit që ishte vendosur në fillim të muajit prill.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment delikat për rajonin, teksa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet mes dy vendeve dhe rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.






