Enti Shtetëror i Revizionit i ka dhënë opinion negativ për pasqyrat financiare të Institucionit Nacional Teatri Shqiptar - Shkup për vitin 2024, duke zbuluar një varg parregullsish në menaxhimin e pronës, financave dhe resurseve njerëzore.
Raporti prej 3 llogarish – buxheti bazë 603, llogaria vetanake 787 dhe buxheti bazë 631 – ka rezultuar me 13 rekomandime për sanimin e gjendjeve, informon PressOnline.al
Revizioni konstaton dobësi serioze në procesin e inventarizimit të mjeteve dhe burimeve. Në librat kontabël figurojnë tokë, objekte dhe pajisje me vlerë prej 14.6 milionë denarë për të cilat nuk ekziston fare evidencë materiale.
Më e rëndë: Teatri ka evidentuar si pronë të veten një hangar me vlerë 153 mijë denarë pa asnjë dokument pronësie, ndërsa rikonstruksioni i objektit kryesor prej 638 milionë denarë ende mbahet si “mjet në përgatitje” edhe pse ka Leje për përdorim që nga viti 2012.
“Teatri disponon me numër të madh kostumesh, rekuizitash dhe materialesh të tjera për të cilat nuk është përcaktuar vlera dhe nuk mbahet evidencë materiale”, thekson ESHR. Nuk ka procedura për furnizim, pranim, lëshim dhe ngarkim me inventar të imët, e as persona të autorizuar për menaxhimin e tyre.
Revizioni ka gjetur se nuk mbahet evidencë e orarit të plotë të punës, edhe pse është obligim ligjor për institucionet me mbi 25 të punësuar. Nga 32 aktorë dhe bashkëpunëtorë artistikë, 7 aktorë ose 20% nuk kanë luajtur në asnjë shfaqje gjatë 2024-ës. Madje, dy aktorë nuk janë angazhuar në asnjë reprizë që nga viti 2011, respektivisht 2019, por kanë marrë pagë të rregullt.
Faturat e lëshuara për qiranë e sallave dhe foajesë nuk protokollohen në librin e institucionit, që sipas ESHR-së “krijon mundësi për evidentim jo të plotë të të hyrave”. Gjithashtu, nuk ekziston akt për përcaktimin e çmimeve të biletave.
Raporti thekson edhe: mënyrë të parregulluar të shfrytëzimit të pronës, Këshill Drejtues që funksionon pa numrin ligjor të anëtarëve, si dhe sistematizim të brendshëm të parregulluar.
ESHR kërkon nga drejtori i teatrit të marrë masa urgjente për: vendosjen e evidencës materiale, rregullimin e inventarizimit, evidentimin e orarit të punës dhe protokollimin e të gjitha dokumenteve dalëse.(PressOnline.al)






