Gazetari demonstron votimin live, raporton se shenja në gisht po fshihet më lehtë

featured
Press Online
07 Qershor 2026, 14:01

Gazetari i TV Dukagjinit, Arian Hajdaraj  ka raportuar nga terreni duke treguar procesin e votimit dhe mënyrën se si vendoset shenja në gisht pas votimit.

Ai ka thënë se, për kuriozitet, ka provuar vetë procesin në mënyrë demonstrative në qendrën e votimit me kusht në shkollën “Skënder Luarasi”, ku është shprehur se shenja e vendosur me marker është fshirë më lehtë se në proceset e kaluara.

“Pikërisht çështja e fundit e shenjës në gisht që vendoset nga një marker permanent. Për kuriozitet e kam provuar këtu ekskluzivisht në shkollën ‘Skënder Luarasi’. Kemi përdorur disa faculeta të lagura pa alkool. Shihet se ka mbetur fare pak shenja e markerit”, ka deklaruar gazetari.

Ai ka shtuar se edhe qytetarë të tjerë kanë raportuar për një dukuri të ngjashme gjatë procesit të votimit.

“Në shumicën e rasteve disa qytetarë kanë treguar se shenja po fshihet më lehtë dhe më shpejt. Vërtetë, shenja në gisht po fshihet më lehtë se herave të kaluara”, është shprehur ai.

https://www.youtube.com/watch?v=OwNpWuHaz20

Ndryshe, Qytetarët e Kosovës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Për qytetarët, kjo është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që u drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të shtunën shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa materialet janë dërguar fillimisht nga qendra logjistike në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë shpërndarë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, përfshirë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat.

Për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë, ndërsa 3 mijë e 500 janë destinuar për personat me nevoja të veçanta.

Në mbarë Kosovën janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Kosovës.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter