Haxhiu: Sa më e lartë pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia

featured
Press Online
07 Qershor 2026, 11:17

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ushtruar të drejtën e votës të dielën në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.

Pas votimit, Haxhiu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, duke vlerësuar se një dalje e lartë në votime e forcon demokracinë dhe legjitimitetin e institucioneve.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, këtë të diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike dhe qytetarëve që dita e zgjedhjeve të karakterizohet nga respekti dhe maturia.

“Ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, por po ashtu edhe dashuri për vendin”, tha ajo.

Haxhiu falënderoi gjithashtu mediat dhe institucionet që janë të angazhuara në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë gjithë ditës.

“Faleminderit të gjithëve dhe na priftë e mbara. E paçi një ditë sa më të lehtë edhe juve, për shkak se e di që sot gjatë gjithë ditës do të jeni në terren”, u shpreh Haxhiu.

https://www.youtube.com/watch?v=S29xSmtaTAI

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter