Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Kurti, i cili në këto zgjedhje garon si kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka ushtruar të drejtën e votës në ditën kur qytetarët e Kosovës po u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme të vendit.
“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, ta përdorin të drejtën e tyre qytetare të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, ka thënë Kurti pas ushtroi te drejten per te votuar.
Ndryshe,
Qytetarët e Kosovës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Për qytetarët, kjo është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që u drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të shtunën shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa materialet janë dërguar fillimisht nga qendra logjistike në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë shpërndarë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, përfshirë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat.
Për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë, ndërsa 3 mijë e 500 janë destinuar për personat me nevoja të veçanta.
Në mbarë Kosovën janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Kosovës.





