Gjini: Kosova u përket qytetarëve, ata duhet ta thonë fjalën e tyre

featured
Press Online
07 Qershor 2026, 10:36

Kryetari i Aleancës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të procesit zgjedhor që po zhvillohet në vend.

Gjini ka votuar në Gjakovë, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Fehmi Agani”, nga ku u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Sot është një ditë e mirë, mot i mirë. I ftoj qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë, ta marrin Kosovën në duart e veta”, deklaroi Gjini pas votimit.

Ai theksoi se vendimmarrja për të ardhmen e vendit u takon qytetarëve, duke shtuar se vota e tyre është vendimtare për drejtimin që do të marrë Kosova.

“Kosova u përket vetëm qytetarëve, ata duhet me thënë fjalën e vet sot”, tha ai.

Në fund, kandidati për kryeministër uroi që procesi zgjedhor të përmbyllet me sukses dhe të sjellë zhvillime pozitive për vendin.

“Urime këto zgjedhje, shpresoj që me sjellë ditë më të mira për Kosovën”, u shpreh Gjini.

https://www.youtube.com/watch?v=S29xSmtaTAI

Ndryshe, Qytetarët e Kosovës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Për qytetarët, kjo është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që u drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të shtunën shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa materialet janë dërguar fillimisht nga qendra logjistike në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë shpërndarë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, përfshirë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat.

Për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë, ndërsa 3 mijë e 500 janë destinuar për personat me nevoja të veçanta.

Në mbarë Kosovën janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Kosovës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter