Zgjedhjet e 7 qershorit, mbi 22 mijë votues votojnë për herë të parë

featured
Press Online
06 Qershor 2026, 15:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në procesin e nesërm zgjedhor është 2,092,174 votues.

Siç bën të ditur KQZ-ja janë 15,884 më shumë votues krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, njofton Dukagjini.

Nga të dhënat e publikuara rezulton se 22,685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Prej tyre, 16,934 janë votues që kanë mbushur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe fitojnë për herë të parë të drejtën e votës.

Sipas statistikave, nga ky numër 8,752 ose 51.68 për qind janë meshkuj, ndërsa 8,182 ose 48.31 për qind janë femra.

Ndërkohë, 5,751 votues të tjerë janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ndërmjet dy proceseve zgjedhore ose kanë rikthyer shtetësinë e Republikës së Kosovës.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, nga Lista e Votuesve janë larguar gjithsej 6,801 persona.

Nga ky numër, 6,165 janë larguar si persona të vdekur sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrit Civil, 419 për shkak të humbjes së shtetësisë së Kosovës, ndërsa 217 votues janë larguar pas pranimit të të dhënave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter