VLEN: Shkupi këto ditë jehon shqip me zërin e librave

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 09:58

Nën moton e bukur "Gjuha jonë sa e mirë", sheshi "Skënderbeu" në Shkup këto ditë nuk është vetëm shesh, por është kthyer në hapësirë të dijes, kulturës, gjuhës dhe kujtesës sonë.

Panairi i Librit shqip "Shkup 2026" solli në zemër të kryeqytetit 55 botues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, bashkë me autorë, lexues, të rinj, familje dhe dashamirës të librit. Mijëra tituj dhe një atmosferë e veçantë kulturore i dhanë Shkupit pamjen e një qyteti që lexon shqip, mendon shqip dhe e nderon librin.

Kjo ngjarje që e vendos librin shqip në hapësirën publike dhe pranë qytetarëve, u bë e mundur falë përkushtimit të kryetarit të komunës së Çairit, njëherësh bashkëkryetar i VLEN-it, Izet Mexhiti, në bashkëpunim me organizatorët, botuesit dhe dashamirësit e librit.

Për VLEN, ky është shembull më i mirë se si kultura bëhet pjesë e gjallë e qytetit kur ka vullnet, përkushtim dhe vizion. Një qytet që i hap vend librit, i hap vend dijes, vetëdijes dhe të ardhmes.

Shkupi këto ditë flet me gjuhën më të bukur, me gjuhën e librit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter