Dasma intime e Dua Lipës me aktorin Callum Turner vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut, por këtë herë nuk janë veshjet apo ceremonia ato që po bëhen virale. Një detaj i veçantë nga dita e madhe e çiftit ka pushtuar rrjetet sociale dhe po frymëzon nuset e ardhshme në mbarë botën: buqeta e këngëtares.

Ylli shqiptaro-britanik, 30 vjeçe, u martua në një ceremoni private në Old Marylebone Town Hall në Londër, ku çdo element duket se ishte zgjedhur me kujdes. Në fotografitë e publikuara nga vetë Dua, vëmendje të veçantë mori buqeta e saj elegante dhe minimaliste.
Ajo ishte krijuar me lulëkuqe islandeze në nuanca të buta pjeshke dhe të bardhë, pa asnjë gjelbërim apo dekor shtesë. E lidhur vetëm me një fjongo të bardhë mëndafshi, buqeta reflektonte një stil modern, të pastër dhe jashtëzakonisht elegant.

Ekspertët e estetikës së dasmave vlerësojnë se pikërisht thjeshtësia e saj e bën kaq të veçantë. Në vend të kompozimeve të mëdha dhe të ngarkuara, Dua zgjodhi një variant të rafinuar që plotësonte në mënyrë perfekte pamjen e saj.
Lulëkuqet islandeze njihen për petalet e tyre delikate dhe pamjen e lehtë, ndërsa simbolizojnë shpresën, paqen, bukurinë dhe gëzimin që gjendet në momentet e thjeshta të jetës. Për këtë arsye, ato konsiderohen një zgjedhje ideale për një ditë kaq të rëndësishme.

Sipas mediave të huaja, kërkesat për buqeta të ngjashme kanë nisur të rriten menjëherë pas publikimit të fotografive të dasmës. Duket se Dua Lipa nuk ka vendosur trend vetëm me stilin e saj, por edhe me një nga detajet më të rëndësishme për çdo nuse: buqetën që mban në ditën e martesës.





