Hollywoodi nuk vlen më asgjë? Quentin Tarantino shpërthen ashpër!

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 02:43

Regjisori i njohur Quentin Tarantino ka kritikuar ashpër industrinë e sotme të filmit, duke deklaruar se shumica e produksioneve moderne të Hollywoodit nuk arrijnë më të ofrojnë magjinë që dikur e karakterizonte kinemanë.

Në një artikull për revistën “Sight & Sound”, krijuesi i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” pranoi se e ka gjithnjë e më të vështirë të shijojë filmat e rinj pa vënë re menjëherë problemet e tyre.

Sipas tij, dobësitë në skenar, zgjedhjet e gabuara të aktorëve, përpjekjet për t’i bërë qejfin publikut dhe mungesa e origjinalitetit po dëmtojnë rëndë cilësinë e filmave që prodhohen sot.

Të metat, pamundësia, lajkat ndaj publikut, aktorët e zgjedhur keq ose thjesht budallallëku zakonisht e shkatërrojnë çdo film të ri që del nga fabrika pa shije që dikur quhej Hollywood

-u shpreh ai.

Megjithëse kritik ndaj industrisë, Tarantino pranoi se disa filma të viteve të fundit i kanë lënë përshtypje pozitive, mes tyre “West Side Story” dhe “Horizon: An American Saga”. Megjithatë, ai tha se asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë emocionin që dikur përjetonte si adhurues i kinemasë, duke shtuar se sot preferon më shpesh të lexojë libra sesa të shohë filma.

Megjithatë, një projekt ka arritur t’i tërheqë vëmendjen. Bëhet fjalë për dramën kriminale “The Rip”, me regji të Joe Carnahan dhe me protagonistë Ben Affleck dhe Matt Damon.

Filmi ndjek historinë e dy oficerëve të policisë në Miami-Dade që zbulojnë një skemë korrupsioni të lidhur me miliona dollarë të një karteli droge. Në kast bëjnë pjesë edhe Steven Yeun, Teyana Taylor, Sasha Calle dhe Kyle Chandler.

Tarantino nuk i kurseu vlerësimet për projektin, duke e cilësuar si një thriller që e mbajti në tension nga fillimi deri në fund.

Më pëlqeu gjithçka te ky film, nga regjia dhe interpretimet deri te pamja vizuale. Por elementi më i fortë është skenari i shkëlqyer

-deklaroi ai.

Ndërkohë, regjisori po punon aktualisht në shfaqjen teatrore “The Popinjay Cavalier”, e cila pritet të ketë premierën botërore në West End të Londrës në vitin 2027.

Sa i përket karrierës së tij në kinema, Tarantino vazhdon të mbajë sekret projektin që do të shënojë filmin e tij të dhjetë dhe të fundit, përpara se t’i japë fund karrierës si regjisor filmash.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter